Shkodër: FSK-ja në ndihmë të zonave të përmbytura

Shqipëria

Shkodër: FSK-ja në ndihmë të zonave të përmbytura

Më: 7 dhjetor 2010 Në ora: 09:16

Pas mbërritjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonat e përmbytura të Nënshkodrës, ka qenë vetë ministri në largim i këtyre trupave, Femi Mujota, i cili ka arritur në Shkodër për të shprehur mbështetjen e qeverisë dhe popullit të Kosovës për banorët e zonave të përmbytura.

Gjatë një takimi në shtabin e emergjencave civile të Qarkut të Shkodrës, Mujota tha se, nëse do të jetë nevoja, Kosova do të dërgojë edhe trupa të tjera në mbështetje të operacioneve humanitare në zonën e Nënshkodrës:

“Kemi ardhur për të shprehur solidaritetin e qeverisë e popullit të Kosovës dhe të gjitha institucioneve të Kosovës dhe për të përkrahur qytetarët që kanë nevojë në këto momente. Si forcë e sigurisë së Kosovës, krejt ç’ka kemi në dispozicion, me teknikën, me njerëz profesionistë, me mjekët dhe, natyrisht, me ndihma të tjera konkrete, jemi të gatshëm ta ndihmojmë popullatën që ka nevojë të mbështetet në këto momente”, tha ministri Mujota.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po drejton në Shkodër të gjithë punën për përballimin e situatës së përmbytjes, u shpreh se edhe ndihma të tjera pritet të vijnë, pas atyre të dërguara nga Kosova, Turqia, Greqia, dhe Italia.

Meta tha se vazhdon të jetë prioritet procesi i evakuimit të popullatës nga zonat e rrezikuara si dhe operacionet për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Për shkak të ndërprerjes së përkohshme të reshjeve dhe pakësimit të shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës deri në 1700 metër kub ujë në sekondë, niveli i ujërave në zonën e përmbytjes është ulur me disa centimetër, por sipërfaqja e përmbytur ka mbetur në shifrat e 14 mijë hektarëve dhe disa mijëra banesave nën ujë.

Sipas autoriteteve, deri tani janë evakuuar 14 mijë persona, por kjo shifër duhet të jetë më e lartë, pasi vetëm nga 6 lagjet e përmbytura brenda qytetit të Shkodrës janë evakuuar më shumë se 7 mijë persona.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat