Japoni: Një jetë e jetuar me ankthin e tërmetit

Ndryshe

Japoni: Një jetë e jetuar me ankthin e tërmetit

Më: 14 mars 2011 Në ora: 18:35

Kur nisa të jetoj në Japoni, rreth 40 vjet më parë, habitesha nga një pyetje që shpesh dhe në mënyrë qesharake më bëhej: “E di se cilat janë gjërat nga të cilat ka frikë një japonez: vjehrra, tërmetet dhe tajfunet”, e nis rrëfimin e tij një shkrimtar i njohur vendas. E kaloja me një të qeshur, pa e kuptuar përse. Unë me vjehrrën kisha marrëdhënie shumë të mira dhe nuk i njihja as tërmetet dhe as tajfunet. Në vendet ku kisha jetuar, nuk kisha pasur të tilla eksperienca. Por mjaftoi pak për të kuptuar se përveç së parës, dy të tjerat ishin shndërruar në një rrezik të vazhdueshëm për japonezët. Në muajt e parë të qëndrimit tim, mendova se herët apo vonë, Tokio do të goditej nga “Dai Jishin”, ose ndryshe tërmeti i madh. Por për shumë vite me radhë ky shqetësim nuk erdhi kurrë. Në fund, të gjithë u mësuam të jetonim me rrezikun nëpër këmbë. Njeriu mësohet gjithmonë të bashkëjetojë me çdo formë rreziku dhe situate, përveçse të harrojë atë që ndodh. Shumë shpejt mësova gjithçka rreth tërmeteve dhe frikës që japonezët kishin vazhdimisht për të. Pastaj në Tokio nuk është shumë e vështirë të eksperimentosh mbi këtë temë. Shkencëtarët nënvizonin se është subjekt i rreth 2 mijë tronditjeve në vit, nga të cilat mund të parashikohet vetëm një për qind e tyre. Me kalimin e kohës, tronditjet e vogla arrin t’i ndjesh gjithmonë teksa je i ulur dhe i jep makinës. Bëhesh më i ndjeshëm ndaj këtij fenomeni, por mëson të bashkëjetosh më të, duke shpresuar se e keqja asnjëherë nuk ka për të ardhur. Të krijohet përshtypja se përderisa ke arritur të jetosh deri tani dhe asgjë nuk ka ndodhur, mund të vazhdosh kështu për shumë vite. Por kur rrallë kemi ndier se tronditjet kanë zgjatur më shumë se një minutë, nis të shqetësohesh seriozisht. Mësova shumë shpejt që nuk është e vërtetë - siç mendojnë shumë në këto kohë - se japonezët janë të ftohtë dhe racionalë kur tërmeti nis të tregojë efektet e tij. Ka shumë ndryshim tek ata mes asaj që bëjnë dhe asaj që mendojnë. Frika e tërmeteve, tajfuneve dhe efekteve anësore si cunami, një term me origjinë japoneze, është e rrënjosur në ADN e banorëve të këtij vendi, sepse prej mijëra vjetësh ata jetojnë me këto fenomene natyrore më shumë se çdo qytetar tjetër i planetit tonë. Këtë herë Tokio e shmangu tërmetin e tmerrshëm, ku epiqendra ishte afër Sendai dhe Fukushimës. Për katastrofën e fundit të Tokios duhet të kthehesh në vitin 1923, kur qyteti u shua që nga themelet, ku pati më shumë se 100 mijë viktima dhe intensiteti i lëkundjeve që zgjatën dhjetë minuta, ishte 7.9 ballë. Pra kombinimi i të gjithë elementeve më të këqij të mundshëm. Pas tij, një tajfun me epiqendër afër ishujve të Izu Oshima, cunami dhe zjarri që la rreth 2 milionë banorë pa shtëpi. Vetëm bombardimet e amerikanëve në vitin 1945 shkaktuan të tilla dëme. Kuptohet se përse Tokio është një qyet i ri. Ajo që kemi kuptuar shumë mirë është se japonezët janë të stërvitur ndaj këtyre fenomeneve natyrore. Në çdo qytet mësohet si t’u përshtaten ngjarjeve të tilla. Çdo shtëpi ka mjetet e nevojshme për mbijetesë dhe banorët mësojnë vazhdimisht se çfarë duhet të bëjnë dhe si të sillen. Për të huajt duket diçka qesharake, por për japonezët dhe për fëmijët në shkollë është një lëndë që duhet ta dinë përmendësh. Teksa xhiroja nëpër qytetin gjysmë të shkatërruar, mësova shumë gjëra për politikën e ndërtimeve japoneze dhe pikat e dobëta të shtëpive. Stereotipi se shtëpitë e vjetra prej druri janë më rezistente, tregoi që ishte i rremë. Shtëpitë tradicionale janë të bukura, por tërmeteve të tilla nuk mund t’u bëjë ballë askush. Pastaj shtëpitë pa themele, siç u pa edhe në këto ditë, nuk mund t’u rezistojnë cunameve dhe merren ashtu siç janë nga dallgët. Ajo që mund t’i rezistojë është ndërtimi antisizmik. Kështu vendosa të ndërtoj shtëpinë time. Themele shumë të thella, strukturë metalike dhe veshje me material kundër zjarrit. Prej kohësh nuk flasim më për Japoninë. Bën më shumë efekt të flasësh për Kinën apo Dubain. Mediat nuk i kushtojnë më shumë rëndësi mbulimit të ngjarjeve në vend. Sa keq që tërmeti i së premtes i vuri sërish në qendër të vëmendjes. Por duke e ditur eksperiencën praktike dhe aftësinë e tyre të madhe për të vepruar, dinjitetin e tyre në tragjedi dhe dhimbje dhe edukimin për të bashkëpunuar me grupin jemi të sigurt se do dinë të reagojnë me shpejtësi. Sepse nuk kanë rrugë tjetër. Tërmeti me përmasa apokaliptike i gjunjëzoi, por sigurisht që nuk i shkatërroi përfundimisht.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat