“Berlini pa mure” - edhe për shqiptarët

Diaspora

“Berlini pa mure” - edhe për shqiptarët

Më: 9 nëntor 2009 Në ora: 14:04

Libri “Berlini pa mure” i diplomatit shqiptar Jorgji Kote është një nga lekturat e rralla, për të mos thënë se është përmbledhja e parë e shkruar në gjuhën shqipe me një dashuri, dije dhe përkushtim që i kushtohet krejtësisht kryeqytetit të Republikës Federale të Gjermanisë, Berlinit. Nëntitulli i librit “Mbresa, ngjarje dhe reflektime” duhet të jetë edhe udhëzuesi më i qartë për atë që lexuesin do ta presë gjatë shtegtimit me këtë libër, i cili sa dëshmon dijen e autorit për historikun e pasur të kryeqytetin gjerman, po aq edhe shpreh dashurinë e tij të pakusht për këtë vend, i cili për dekada të tëra, ishte dhe vazhdon të jetë njëra prej qendrave vendosëse për fatin e jo vetëm të më shumë se 80 milionë gjermanëve, por dhe të Evropës dhe botës. Fakti që autori ka shërbyer si diplomat në kryeqytetin gjerman, dija dhe qasja e tij historike mbi dallgët kohore që Berlini ka kaluar nga koha e Bismarkut, Republika e Weimar-it, periudha e errët naziste, Lufta e Ftohtë, ku Berlini ishte pikë neuralgjike me Murin ndarës mes Paktit Verio-Atlantik dhe Paktit të Varshavës, rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë, që solli dhe rënien e Perdes së Hekurt komuniste, por edhe vështirësitë në rinjohjen gjermano-gjermane dhe berlineze (tani pa mure) e bëjnë këtë libër edhe një lloj manuali të dobishëm për lexuesin shqiptar, që do të dijë më shumë për kryeqytetin gjerman.

Ajo që “Berlinin pa mure” e bën kaq origjinal dhe të papërsëritshëm është edhe modestia e autorit që të mos marrë mbi vete barrën e insistimit për dhënie “leksionesh” mbi historinë moderne të kryeqytetit gjerman. Ajo që këtë libër e bën kaq simpatik dhe joshës është prirja e autorit që në mënyrë diskrete, krejt të paimponueshme, të japë edhe përvojat e tij personale, si diplomat, por edhe “i dashuruar” me kulturën, arkitekturën, teatrin, historinë, me shpirtin berlinez dhe gjerman. Pas leximit të librit “Berlini pa mure”, do të vërejmë se tashmë kryeqyteti gjerman nuk ka më “mure” as për botën shqipfolëse. E botoi Toena, kurse parathënien e shkroi Beqë Cufaj.

B.S.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat