Junta mbyll hapësirën ajrore të Nigerit për shkak të “rrezikut nga ndërhyrja ushtarake”

Afrika

Junta mbyll hapësirën ajrore të Nigerit për shkak të “rrezikut nga ndërhyrja ushtarake”

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 08:04
Mbështetësit e puçistëve në Niger duke valëvitur flamurin e Nigerit dhe Rusisë në Niamej më 6 gusht 2023.

Liderët e puçit ushtarak në Niger kanë mbyllur hapësirën ajrore të shtetit, duke u thirrur në kërcënim të ndërhyrjes ushtarake nga fqinjët e tyre.

Sipas Flightradar24, që monitoron të dhënat e fluturimeve, aktualisht nuk ka asnjë avion në qiellin e Nigerit.

Grupi i shteteve të Afrikës Perëndimore, ECOWAS, më herët kishte paralajmëruar se do të përdorë forcën nëse presidenti i Nigerit, Mohamed Bazoum, nuk rimerr pushtetin deri në orët e para të së hënës.

Një zëdhënës i juntës tha se forcat e armatosura të Nigerit janë të gatshme të mbrojnë vendin.

Bazoum u arrestua më 26 korrik dhe gjenerali Abdourahmane Tchiani, që është komandant i gardës presidenciale, e shpalli veten lider të ri të shtetit.

Puçi ushtarak u dënua nga faktori ndërkombëtar, përfshirë edhe nga ish-fuqia koloniale, Franca, dhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, por edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.

Në një deklaratë të lexuar në televizionin kombëtar të dielën, përfaqësuesi i juntës tha se ushtria e Nigerit kishte informacione se një “fuqi e huaj” po përgatitej të sulmonte shtetin.

Pas një takimi krize në Nigeri, shefat ushtarakë të ECOWAS thanë të premten se kanë hartuar një plan të detajuar për përdorimin e mundshëm të forcës.

Janë hartuar të gjitha elementet që kërkohen për një ndërhyrje të mundshme, përfshirë burimet që kërkohen dhe si dhe kur ne do të dislokonim forcat”, tha Abdel-Fatau Musah, komisionar i ECOWAS për çështje të politikës, paqes dhe sigurisë.

Ne duam që diplomacia të funksionojë, ne duam që ky mesazh qartazi t’iu transmetohet atyre [juntës së Nigerit] dhe ne u kemi dhënë atyre çdo mundësi të zhbëjnë atë që kanë bërë”, shtoi ai.

ECOWAS dha ultimatum një javë më parë, duke kërkuar nga gjeneralët që të largohen nga pushteti. Tashmë ky afat ka skaduar.

ECOWAS është bllok rajonal i tregtisë ku bëjnë pjesë 15 shtete të Afrikës Perëndimore, përfshirë Nigerinë, Senegalin, Togon dhe Ganën.

Por, liderët e puçit nuk kanë dhënë sinjale se kanë vullnet që të largohen nga pushteti dhe të dielën mijëra mbështetës të tyre mbajtën një tubim në stadiumin në kryeqytetin Niamej.

Dy shtete fqinje të Nigerit – Burkina Faso dhe Mali – më herët kanë paralajmëruar se çdo ndërhyrje e jashtme ushtarake në Niger, ata do ta konsideronin “shpallje të luftës” ndaj tyre. Burkina Faso dhe Mali janë anëtarë të ECOWAS, por anëtarësimi i tyre në këtë bllok rajonal është pezulluar që kur këto dy shtete udhëhiqen nga juntat ushtarake.

Nigeri është një prodhues i rëndësishëm i uraniumit – një përbërës vital për energji bërthamore – dhe nën udhëheqjen e presidentit Bazoum ishte një aleat kyç i Perëndimit në luftën kundër militantëve islamikë në rajonin Sahel të Afrikës Perëndimore./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat