134 fëmijë nigerian vdesin çdo ditë nga keq ushqyerja

Afrika

134 fëmijë nigerian vdesin çdo ditë nga keq ushqyerja

Më: 20 korrik 2016 Në ora: 22:12
Fëmijë nigerian

Një e katërta e një milion fëmijëve në verilindje të Nigerisë, Borno janë të keq ushqyer dhe janë duke u përballur me vdekjen ka paralajmëruar fondi i OKB-së.

Që nga fillimi i kryengritjes brutale në këtë regjion para shtatë vitesh, grupi militant islamik Boko Haram ka shkatërruar fshatra dhe komunitete të tëra në këtë vend.

Por, shkalla e krizës është duke u vënë në dritë vetëm pasi  që zonat të cilat ishin dikur nën kontrollin e Boko Haram-it, janë bërë të qasura për humanitarët.

UNICEF ka vlerësuar se nga 244 mijë fëmijë që vuajnë nga keq ushqyerja akute në shtetin Borno,  49 mijë do të vdesin këtë vit nëse nuk marrin trajtim.

“Mesatarisht 134 fëmijë do të vdesin çdo ditë nga shkaqe që lidhen me kequshqyerjen akute, nëse nuk veprohet diçka shpejt”, ka thënë Manuel Fontaine, drejtor rajonal i UNICEF-it për Afrikën Perëndimore dhe Qendrore i cili sapo ishte kthyer nga Borno.

“Ne kemi nevojë për të gjithë partnerët dhe donatorët për të parandaluar vdekjen e më shumë fëmijëve”, tha ai.

Fontaine gjithashtu ka bërë të ditur se 60 deri 75 % e këtyre fëmijëve janë jetimë të zhvendosur nëpër kampe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat