Afrika e Jugut: kërkohet dorëheqja e Presidentit Zuma

Afrika

Afrika e Jugut: kërkohet dorëheqja e Presidentit Zuma

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 17:43
Jacob Zuma

Partia në pushtet në Afrikën e Jugut thotë se po bën përgatitje për një mocion parlamentar ditën e enjte për t’ia hequr votëbesimin Presidentit Jacob Zuma, në se ai nuk jep dorëheqjen menjëherë. Udhëheqësit e partisë së zotit Zuma thonë se Kongresi Kombëtar Afrikan shpreson të zgjedhë president Cyril Ramaphosin të enjten, ose të premten, pas heqjes së votëbesimit të presidentit aktual. Ky njoftim vjen pas kontrollit nga policia në shëpinë e një familjeje të pasur jugafrikane, me lidhje me zotin Zuma. Gjatë këtij operacioni u arrestua një person:

Policia e ndaloi personin e paidentifikuar tek shtëpia në Johanesburg e familjes Gupta, të mërkurën në mëngjes, disa orë para se Presidenti Zuma pritet të njoftojë në se do t’i bindet kërkesës së partisë së tij për të dhënë dorëheqjen.

Familja Gupta akuzohet për shfrytëzimin e miqësisë që ka patur me presidentin Zuma për të kontrolluar emërimet për poste qeveritare.

"Më në fund diçka po bëhet, këta njerëz duhet të largohen nga vendi. Duhet të na lehë rehat, boll dëme kanë bërë. Për Zumën është e kuptueshme, që tek kjo çështje varet jeta e tij, po diçka është e qartë, ai duhet të largohet nga posti.”- thotë një fqinjë e familjes Gupta.

Të mërkurën, Presidenti jugafrikan Jacob Zuma mbajti një konferencë shtypi, ku ai tha se i duhen më tepër informacione për të mësuar se çfarë ka bërë.

"Dua të di çfarë kam bërë. Fatkeqësisht, askush nuk më ka thënë këtë. Jemi duke shpenzuar shumë kohë duke thënë “Zuma duhet të largohet, nuk e kuptoj përse”, tha Zuma.

Kontrolli i policisë në shtëpinë e miqve të Presidentit Zuma ishte një presion më i madh ndaj fraksionit politik të presidentit të akuzuar.

Kongresi Kombëtar Afrikan po përpiqet ta detyrojë Presidentin Zuma të largohet nga posti një vit para se t’i përfundojë mandati. Udhëheqësit e Partisë thonë se Zuma kishte kërkuar 3-6 muaj për të përfunduar punën e nisur, por partia e tij mendoi se kjo ishte një kohë shumë e gjatë, duke patur parasysh pakësimin e madh të miratimit të publikut për të, si dhe dhe me afrimin e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, tepër të rëndësishme për vendin.

"Përshtypja ime është se Presidenti Zuma do ta japë dorëheqjen, unë nuk mendoj se ka për të qenë një dorëheqje e lehtë. Ai është një person inatçor dhe si i tillë, ai ka qenë një president me shumë prapaskena gjatë sundimit të tij, prandaj nuk po tregohet i gatshëm të largohet nga posti,”- thotë një analiste.

Që me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2009, Jacob Zumës nuk i janë ndarë akuzat për korrupsion. Mes akuzave të tjera, kritikët thonë se ai ka përdorur fonde publike prej rreth 20 milionë dollarësh për riparime në pronavt e tij.

Ai bëhet presidenti i dytë jugafrikan, pas Thabo Mbekit, që pezullohet nga Kongresi Kombëtar Afrikan. Mbeki u detyrua të japë dorëheqjen në viti 2008./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat