Ramosaj për lejet e hidrocentraleve: Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje

Aktuale

Ramosaj për lejet e hidrocentraleve: Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 16:37
Bashkim Ramosaj

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka adresuar një varg kritikash për lëshimin e lejeve për operim me hidrocentrale për kompaninë "Kelkos Energy".

Ai gjatë raportimit të sotëm në Komisionin hetimor për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve, ka thënë se Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje dhe se nuk po respektohen normat e ndërtimit të hidrocentraleve.

Ramosaj: Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje

“Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje me gjithë këtë dokumentacion sepse Komuna e Deçanit, pos asaj, nuk iu ka përmbush asnjë obligim, asnjë premtim, asnjë e drejtë që buron nga marrëveshja fillestare që është nënshkruar”, tha ai.

E anëtarja e komisionit nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri e pyeti kryetarin Ramosaj se a është papërgjegjësi e vetë komunës për këtë mashtrim.

Gaxherri: Komuna e Deçanit është mashtruar me papërgjegjësitë e vet

“A është mashtruar komuna e Deçanit edhe me papërgjegjësitë e vet? Kush ka qenë atë kohë kryetar, apo ka pasur përgjegjësi dhe është bazuar në ligjet e Kosovës dhe ka bërë një marrëveshje, apo kontratë të cilën ne sot e shohim pse s’po zbatohet dhe ku është problemi?”, tha Gaxherri.

Por Ramosaj sqaroi pse konsideron se komuna që udhëheq është vënë në lajthitje.

Ramosaj: Lajthitje është kur fillimisht e merr lejen për të bërë studim të fizibilitetit

“Komuna është institucion që e ka kontinuitetin e vet, pa marrë parasysh kush ka udhëheq më herët e kush sot. E dyta, kur them lajthitje, kërkoj të më kuptoni drejt. Lajthitje është kur t’i fillimisht e merr lejen për të bërë studim të fizibilitetit. Madje premton nënshkruan edhe letra kontraktuale duke qenë i vetëdijshëm sidomos pronari i Kelkos, se duke qenë i vetëdijshëm se momentin kur fillon punën, komuna nuk e ka asnjë të drejtë”, tha ai.

Ndërkaq, anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Bajrush Xhemajli kërkoi të di nëse punimet në këto hidrocentrale kanë ndikuar në humbjen e burimeve të ujit të pijshëm.

Xhemajli: Është thënë se është humb një burim për ujë të pijes në Deçan

“Sipas banorëve është thënë se është humbur një burim për ujë të pijes në Deçan. A është e saktë, apo jo?”, tha ai.

Këtë pohim e konfirmoi edhe vetë kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj.

Ramosaj: Nuk është humb vetëm një burim

“Unë vlerësoj që nuk është humb vetëm një burim, përgjatë punimeve unë vlerësoj se janë humbur më shumë se dy burime, fatkeqësisht”, tha ai.

Lidhur me dhënien e licencave afatgjate 40 vjet për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “Kelkos Energy” për hidrocentralet “Deçani” dhe “Belaja” pritet të thirret edhe në interpelancë ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat