Kosova nuk ka kapacitete ta hetojë variantin e ri të COVID-19, javën e ardhshme pritet të dërgohen mostrat jashtë vendit

Aktuale

Kosova nuk ka kapacitete ta hetojë variantin e ri të COVID-19, javën e ardhshme pritet të dërgohen mostrat jashtë vendit

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 13:56
Foto ilustrim

Në shumë shtete të botës janë identifikuar raste me variantin e ri të koronavirusit, vendi i parë që hetoi këtë variant është Britania e Madhe, ndërsa së fundmi u raportua se ai ka mbërritur edhe në Amerikë. Por, Kosova nuk ka njohuri nëse varianti i emëruar “VUI-202012/01” po qarkullon edhe në vendin tonë, kjo pasi shteti ynë nuk e kryen procesin për zbulimin e tij.

Në një bisedë Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë, Xhevat Jakupi, tha se janë në kontakt me zyrën e OBSH-së që javën e ardhme t’i dërgojnë 20-30 mostra të rastësishme në ndonjë nga laboratoret në Evropë, për të parë nëse varianti i ri po qarkullon edhe në vendin tonë.

“Nuk kemi njohuri nëse ka qarkullim të variantit të ri të koronavirusit në Kosovë sepse përcaktimi se a ka variant të ri në qarkullim bëhet me senksiocinim të gjenomit për virusin, e ne nuk e kryejm atë proces këtu në Kosovë. Nuk ka kapacitet për momentin në Kosovë me hetu praninë e këtij varianti”, tha Jakupi.

“Ne jemi duke i mbledh disa mostra dhe në mënyrë të rastësishme jemi duke i marrë ato që dalin pozitive me i dërgu jashtë vendit në ndonjë prej laboratoreve referente në Evropë, në mënyrë që ata me kry këtë proces edhe me shiku se a ka ndonjë variant të këtij virusi në qarkullim në Kosovë”, shtoi më tej mikrobiologu.

I pyetur se në cilin laborator pritet dërgimi i mostrave, ai tha se ky proces mund të kryhet në Berlin, Londër ose Holandë.

“Duhet me bisedu me OBSH-në, sepse e financon këtë proces, njëra prej opsioneve është me i dërgu në Berlin, një tjetër është në Holandë dhe një në Londër, duhet me shiku se cilin do ta zgjedhim. Kemi diskutu më herët për dërgimin e mostrave jashtë vendit dhe ata na presin neve me i mbledh dhe me i dërgu jashtë vendit”, tha ai.

Dërgimi i mostrave pritet të bëhet javën e ardhshme, shtoi ai.

“Duhet me i mbledh 20-30 mostra pozitive që janë dhe me i dërgu jashtë vendit, në mënyrë të rastësishme. Dërgimi i tyre pritet të bëhet në fillim të javës së ardhshme”, tha Jakupi.

Tutje mikrobiologu tha se në apsketin klinik nuk ka rëndësi të posaçme a ka variant të ri në qarkullim apo jo.

“Pa marrë parasysh ai variant që është në qarkullim, ato raste prap se prap detektohen si pozitive, testet që përdoren te ne dhe në botë e qesin pozitiv rezultatin, kurse për variantin i cili është në qarkullim është një proces tjetër. Po sipas të dhënave të fundit të OBSH-së nuk ka ende ndonjë indikacion që ai variant jep simptoma më të rënda klinike, në apsketin klinik nuk ka rëndësi të posaçme a ka variant të ri në qarkullim apo jo”, përfundoi ai.

Teksa në botë ka nisur vaksinimi i qytetarëve kundër koronavirusit, punëtorët shëndetësorë në Kosovë vlerësohet se janë të papërgatitur për ta dhënë vaksinën kundër COVID-19.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetësi, Naser Ramadani ka deklaruar sot se deri në mars pret që të vijnë vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë, por se varet edhe nga ndërkombëtarët.

Si pasojë e variantit të ri të koronavirusit shumë shtete të botës kanë kufizuar dhe ndaluar fluturimet në drejtim të Britanisë së Madhe, në mesin e tyre edhe Kosova.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka nxjerrë një vendim për masa të veçanta për mbrojtje nga përhapja e infeksionit/sëmundja Covid-19 për pezullimin e të gjitha linjave ajrore të fluturimit në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” nga Britania e Madhe për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas.

Të gjithë qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe në pikat tokësore obligohen të vetë-izolohen për 14 ditë në shtëpitë/banesat e tyre. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat