Promovojnë demokracinë lokale asociacioni i Komunave dhe Këshilli i Evropës

Aktuale

Promovojnë demokracinë lokale asociacioni i Komunave dhe Këshilli i Evropës

Më: 8 korrik 2021 Në ora: 16:00
Foto nga vendi i ngjarjes

Në bashkë-organizim të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe Këshillit të Evropës u mbajt punëtoria një-ditore “Promovimi i Demokracisë Lokale”.

Punëtoria, e zhvilluar në formën hibride (takim ballë-për-ballë i kombinuar me atë online), kishte për qëllim njoftimin e pjesëmarrësve me njohuri gjithëpërfshirëse të standardeve evropiane për demokracinë locale dhe rajonale, parimet e qeverisjes së mirë, filozofinë dhe përmbajtjen kryesore të Kartës Evropiane për Vetqeverisje Lokale (me protokoll shtesë) dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës z.Sazan Ibrahimi tha në hapje të punëtorisë së “qeverisja lokale në Kosovë është ndërtuar mbi parimet e Kartës Evropiane për Vetqeverisje Lokale”.

“Ne jemi të lumtur që Këshilli i Evropës po analizon përputhshmërinë e sistemit tonë lokal të qeverisjes me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, sepse qysh prej se ka filluar procesi i decentralizimit në Kosovë ne jemi përpjekur t’u qëndrojmë besnik parimeve të Kartës. Parimi i subsidiaritetit, për shembull, ka ndihmuar komunat ta sjellin qeverisjen lokale më afër qytetarit dhe t’i përgjigjen kërkesave të tij”, tha Ibrahimi.

Zëvendës Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë z.Tankut Soykan e vlerësoi lartë bashkëpunimin me Asociacionin e Komunave të Kosovës duke u shprehur optimist se edhe në periudhën e ardhshme tri-vjeçare të projektit, AKK dhe Këshilli i Evropës do të mund të mbështesin komunat në përafrimin e qeverisjes lokale me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

Në punëtorinë në të cilën morën pjesë Zyrtarët Ligjorë të Komunave të Kosovës u trajtuan tema si puna e Këshillit të Evropës dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Protokolli Shtesë i Kartës, demokracia lokale e qeverisja e mirë dhe zbatimi i parimeve dhe standardeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat