Merret vendimi për shtatë ankesa të kandidatëve për asamblistë

Aktuale

Merret vendimi për shtatë ankesa të kandidatëve për asamblistë

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 16:22
Foto ilustrim

Gjykata Supreme e Kosovës, pas certifikimit të zgjedhjeve lokale ka vendosur për shtatë nga gjithsej 19 ankesa sa ka pranuar nga kandidatët për asamble komunale ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Supremja ka refuzuar si të pabaza gjashtë ankesa, ndërsa ka pranuar një pjesë të ankesës së kandidatit për asamblist Dardan Krasniqi nga subjekti politik Demokratët për Drenasin.

Me aktgjykimin AA nr. 59/2021, kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur lidhur me ankesën e S.M., sekretar i subjektit politik, Nisma Socialdemokrate, në Komunën e Prizrenit, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tij, të parashtruar kundër vendimit të PZAP-së.

Me aktgjykimin AA nr. 60/2021, kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen juridike të N.P., kandidat për anëtar të Kuvendit Komunal në Komunën e Gjakovës, nga subjekti politik Nisma Socialdemokrate, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tij, të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së.

Me aktgjykimin AA.nr.61/2021, kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur lidhur me ankesën e A.N., kandidat për anëtar të Kuvendit Komunal në Gjakovë, nga subjekti politik Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tij, të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së.

Me aktgjykimin AA nr. 62/2021, kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e B.H., kandidate për anëtare të Kuvendit Komunal të Prishtinës nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës, paraqitur kundër vendimit të PZAP-së.

Me aktgjykimin AA.nr.63/2021, kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen juridike të D.K., nga subjekti politik Demokratët për Drenasin, paraqitur kundër vendimit të PZAP-së, e ka pranuar si pjesërisht të bazuar ankesën e tij, përkitazi me Shpalljen e Rezultateve Përfundimtare për zgjedhjet lokale 2021, si dhe ka ndryshuar vendimin e PZAP-së, duke urdhëruar KQZ-në që të rishqyrtojë vendimin e saj, vetëm përkitazi me kandidatin e sipërpërmendur dhe të vërtetojë plotësisht si dhe saktë numrin e votave të fituara nga ai, në bazë të Formularëve të Rezultateve të Kandidatit, në të gjitha vendvotimet e Komunës së Drenasit, si dhe të njëjtat të përfshihen në rezultatin përfundimtar.

Ndërkaq, Kolegji e ka refuzuar si të pabazuar pjesën e ankesës që ka të bëjë me kërkesën për rinumërimin e votave në vendvotimet me nr.0301E, 0301X, 0302E, 0305E, 0313E, 0320E, 0324E, 0304E, 0311E.

Me aktgjykimin AA.nr. 65/2021, kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur për ankesën e A.H., kandidat për deputet në Kuvendin e Komunës së Klinës, nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tij të parashtruar kundër vendimit të PZAP-së.

Me aktgjykimin AA.nr. 67/2021, kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen juridike të E.M., kandidat për anëtarë të Kuvendit Komunal në Komunën e Prizrenit, nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tij, të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së.

Kandidatët për asamblistë kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre në Gjykatë Supreme, kundër vendimeve të PZAP-së, në afat prej 24 orëve, nga momenti i pranimit të vendimit të PZAP-së, ndërkaq Gjykata Supreme i ka në dispozicion 72 orë për të vendosur për secilën ankesë, nga momenti i pranimit të tyre në Gjykatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat