Konfirmohet pozita e re publike e Sami Lushtakut

Aktuale

Konfirmohet pozita e re publike e Sami Lushtakut

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 15:04
Sami Lushtaku dhe Fadil nura

Kryetari në ardhje i Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim nga Administrata se kur do të zgjedhet ai në krye të kësaj komune.

Nura thotë se nuk ka pasur komunikim as me Administratën Komunale të Skenderajt por as me kryetarin në largim të këtij qyteti, Bekim Jashari, lidhur me këtë akt.

Nura e konfirmoi për Paparacin se nënkryetar i ri i Skenderajt do të jetë Sami Lushtaku, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i degës së PDK-së në këtë komunë, kurse thotë se janë në angazhim e sipër për zgjedhjen e drejtorëve në drejtoritë komunale së këtij qytetit.

“Jo ende s’kemi marrë ndonjë njoftim rreth pranim-dorëzimit të detyrës. S’kam pasur ndonjë komunikim as me Bekim Jasharin. Ne jemi në angazhim e sipër për zgjedhjen e drejtorëve të rinj në Komunën e Skenderajt kurse mund ta konfirmoj se Sami Lushtaku do të jetë nënkryetar i Skenderajt”, deklaroi Nura.

Ish-deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës u shpreh se bashkëpunimi mes subjekteve politike në Skenderaj nuk do të mungojë, duke përfshirë këtu edhe Listën e Pavarur të Bekim Jasharit.

“Jo vetëm me Listën e Bekimit, por me të gjitha subjektet që janë të përfaqësuara në Kuvend do të kemi bashkëpunim për të mirën e Skenderajt. Ne s’kemi nevojë për koalicion pasi numrat i kemi por do të jemi të hapur për bashkëpunim”, theksoi Nura.

Sipas rezultateve të KQZ-së, zgjedhjet lokale në Skenderaj i fitoi Fadil Nura i PDK-së, i cili mori 57.9 për qind të votave kundrejt Listës së Pavarur të Bekim Jasharit që fitoi vetëm 40.7% të votave të përgjithshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat