Festohen Krishtlindjet në kishat dhe famullitë e Kosovës

Aktuale

Festohen Krishtlindjet në kishat dhe famullitë e Kosovës

Më: 26 dhjetor 2021 Në ora: 06:53
Festohen Krishtlindjet

Në të gjitha kishat dhe famullitë e Kosovës po kremtohen krishtlindjet apo siç i quajnë këtu kërshëndellat. Kremtet po përshkohen nga urimet për mbarësi, paqe e mirëkuptim ndërmjet njerëzve. Mesha kryesore është mbajtur mbrëmë në katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, gjatë së cilës Ipeshkvi i Ipeshkvis së Kosovës Dodë Gjergji foli për padrejtësisë me të cilat përballen qytetarët e vendit.

“Dikush mendon se është politika ajo që na ka vjedhë të ardhmen dhe na ka lënë pa shpresë, do të tjerë vazhdojnë të këmbëngulin se fajtor është qeveria që nuk arrin të kryej përgjegjësitë e veta, pastaj do të tjerë fajin ja lënë Evropës që a mbanë të izoluar pa viza dhe me yll në ballë sikur do t’i thoshte populli fusnotës, pastaj janë edhe ata që thonë se nëse ka pas dikur profiterë lufte sot nuk mungojnë profiterët e shpresës që zakonisht thonë “dorëzu tek unë të drejtat dhe liritë tuaja, vepro dhe mendo si unë nëse dëshiron të kesh të ardhme”, duke e lidhur kështu shpresën me lavdi, pushtet, pozitë e para”, tha ai.

Imzot Dodë Gjergji tha se Krishtlindja është festë e paqes dhe e dashurisë ndërsa bëri thirrje që qytetarët të mos heqin dorë nga vendi i tyre.

“Pasi ne jemi njerëz të kësaj kohe, ne jemi njerëz të këtij vendi le të duam vendin tonë, le të duam jetët tona, te ta duam të ardhmen tonë dhe mos të hezitojmë për të sakrifikuar sepse vetëm frikacakët ikin nga realiteti kurse trimërat shpirtërorë dhe burrërorë përballen me realitetin e jetës së vendit të vete”, tha ai.

Udhëheqës fetarë e politikë, përgëzuan besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjeve duke vënë theksin tek thirrjet për paqe, tolerancë e solidaritet.

Presidentja Vjosa Osmani tha se Krishtlindja është simbol i fitores së jetës mbi vdekjen, ndërsa bëri thirrje për inkurajim për jetën, tolerancën e harmoninë ndërnjerëzore, virtyt që sipas saj e kanë traditë shqiptarët.

Urime e përgëzime kanë dërguar edhe përfaqësues të institucioneve tjera, të partive politike dhe institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Image
Festohen Krishtlindjet
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat