Listat e veteranëve/ Xhevdet Qeriqi vjen me një kërkesë për Albin Kurtin

Aktuale

Listat e veteranëve/ Xhevdet Qeriqi vjen me një kërkesë për Albin Kurtin

Më: 23 mars 2022 Në ora: 21:12
Xhevdet Qeriqi

Kryetari i Këshillit i për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka folur për paralajmërimet për riverifikim të listave të veteranëve.

Ai tha se që nga fillimi kanë kundërshtuar këto lista si dhe kanë kërkuar vazhdimisht verifikimin e tyre.

“Ne qysh prej fillimit kemi kundërshtuar këto lista, dhe kemi kërkuar në vazhdimësi që të verifikohen ose të bëhet një auditim i pavarur, sepse ka shumë parregullsi të mëdha brenda këtyre listave, ku ky komision ka nxjerrë një shifër që nuk përputhet me realitetin që nuk ka qenë në luftë”, deklaroi ai.

Qeriqi tregon se në fund të takimit kanë diskutuar për formimin e një komisioni që vetëm Qeveria mund të marrë një vendim që të formohet një komision.

“Në fund të takimit, e kemi diskutuar edhe formimin e një komisioni e që është kompetencë e qeverisë, dhe ligji e parasheh që Qeveria është e vetmja që mund të marrë një vendim për formimin e një komisioni”, citoi ai.

Më pas ai tha se kërkesat e tyre ishin që të kujdesen më shumë për kategoritë e luftës, si dhe duhet të ketë një zgjedhje të formohet ky komision për verifikimin e veteranëve.

“Kërkesat tona kanë qenë që të bisedojmë dhe të kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të kujdeset më shumë për kategoritë e luftë, sepse në këto kohë po ballafaqohen me shumë probleme, qoftë ekonomike apo shëndetësore, ndërsa në takimin e mëhershëm që kemi mbajtur në vitin e kaluar, është ankuar zotri Kurti se listat janë të fryera dhe duhet të gjejmë një zgjedhje të formojmë një komision që t’i verifikojmë edhe veteranët edhe këto lista”, u shpreh ai.

Sipas tij, ky komision ka shumë parregullsi, dhe nuk do të pranojë të jetë pjesë e tij, as në të kaluarën, as tani.

“Unë kam shprehur bashkëpunimin tim, mirëpo pjesë e atij komisioni nuk kam pranuar as në të kaluarën, as tani të jem pjesë e tij, sepse e kam ditur që do të ketë parregullsi, dhe nuk kam dashur të përfshihem, por aty ku kërkohet ndihma jonë ne jemi të gatshëm që të kontribuojme” deklaroi Qeriqi.

Ndërsa shpreson se Qeveria Kurti do të marrë një vendim dhe do e marrë seriozisht pastrimin e listave.

“Shpresoj që Qeveria e Republikës së Kosovës, zotri Kurti do të marrë një vendim dhe do t’i hyjë seriozisht që të pastrohen këto lista, sepse për ne është shumë e rëndësishme, pasi që padrejtësisht po përfitojnë njerëzit që fare nuk kanë qenë pjesë e luftës”, tha tutje Qiriqi.

Në lidhje me pagat e veteranëve, Qiriqi tha se pensionet e një veterani luftëtar nuk mund të jenë më pak se një pagë minimale.

“Me ligjin për kategoritë e luftës që përcaktohen në bazë të amandamenteve të atij ligji, që pensioni i një veterani luftëtar nuk mund të jetë më pak se një pagë minimale.Ne kemi kërkuar që në bazë të mundësive të ketë ngritje edhe për kategoritë e tjera, për invalidët dhe për familjarët e dëshmorëve”. u shpreh ai.

Në fund shtoi se ata po kërkojnë diçka më shumë, sepse që nga viti 2011 kategoritë e luftës nuk kanë pasur asnjë ngritje, as invalidët e as familjet e dëshmorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat