​Vettingu, KPK: Ndërmarrja e masave të çakorduara do ta dëmtojnë sistemin prokurorial

Aktuale

​Vettingu, KPK: Ndërmarrja e masave të çakorduara do ta dëmtojnë sistemin prokurorial

Më: 30 korrik 2022 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka dalë me qëndrim pas Opinionit të Komisionit të Venecias për Koncept-dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting”, duke thënë se vlerësimet dhe propozimet e Komisionit të Venecias janë të rëndësishme dhe ofrojnë një platformë orientuese për fuqizimin e mëtejmë të sistemit prokurorial në Kosovë përmes mekanizmave të brendshme të gjyqësorit.

Opinioni i Venecias në mënyrë sistematike dhe duke tërhequr vëmendje në instrumentet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe duke shmangur praktikat e vendeve të tjera, në vlerësimet e dhëna në këtë Opinion, spikat pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar dhe mbrojtur qartësisht me Kushtetutën e Kosovës, thekson KPK.

Rekomandimet e Komisionit, në mënyrë të përsëritur gjatë tërë Opinionit, bëjnë thirrje për qasje vërtet të kujdesshme sa i përket çdo iniciative, propozimi apo reforme të pamenduar dhe analizuar mirë, shton tutje KPK.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke iu referuar përgjigjes së dërguar Komisionit të Venecias për Koncept-dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting” dhe në frymë të njëjtë me qëndrim e shprehur nga Komisioni i Venecias në Opinion e saj, vlerëson se ndërmarrja e masave dhe veprimeve të çakorduara do t’i bëjë dëm vështirë të sanueshëm tërë sistemit prokurorial dhe, rrjedhimisht, do të shkaktojë zvarritje të procedurave, të cilat pashmangshëm do t’ia pamundësojnë qytetarëve të vendit një qasje efektive në drejtësi.

Në vend të një iniciative që rrezikon mbarëvarshmërinë e punës së sistemit prokurorial dhe zhvlerëson tërë punën dhe investimin e bërë në forcimin e sistemit prokurorial, Këshilli Prokurorial i Kosovës fton Ministrinë e Drejtësisë për intensifikim të dinamikës së punës së përbashkët për avancimin e reformave të nisura, dhe bashkë me këtë, të konceptohen nisma të reja me një qëllim të përbashkët – konsolidimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të vendit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, riafirmon qëndrimin dhe qasjen, e cila me këtë Opinion të Komisionit të Venecias veçse është përforcuar, se adresimi i sfidave në sistemin prokurorial dhe përmirësimi i vazhdueshëm i performancës, duhet të bëhet me anë të nismave ligjore dhe politikave zhvillimore të koordinuara mirë për t’i fuqizuar edhe më tej mekanizmat e brendshme të verifikimit, llogaridhënies, performancës dhe transparencës.

Nismat e panevojshme, të pakoordinuara, me një racionalizim jo të mirëfilltë, të cilat mëtojnë ndërhyrje invazive në punën dhe pavarësinë e sistemit prokurorial nuk do të mbështeten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, thuhet në qëndrimin e KPK-së.

KPK mbetet i përkushtuar të avancojë reformat tashmë të nisura dhe thotë se nuk mbështet dhe nuk do të merr pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë sistemit prokurorial për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi kjo mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të KPK-së, të cilët duhet të jenë përhershëm.

KPK-ja mbetet e përkushtuar dhe bashkëpunuese që ta jep kontributin e vet në iniciativat ligjore që ka për qëllim forcimin e mëtejmë të mekanizmave të brendshme të verifikimit, performancës, integritetit dhe disiplinës të sistemit prokurorial.

Po ashtu, KPK-ja dëshiron të theksojë se për çdo iniciativë ligjore në funksion të fuqizimit të mekanizmave të brendshme, KPK-ja duhet të ketë rol udhëheqës që nga faza e konceptimit, zhvillimit deri në atë të finalizimit të këtyre nismave ligjore.

KPK, ashtu siç është theksuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, konsideron se mund të ndërmerren masa, veprime dhe reforma të cilat në mënyrë komulative do ta arrijnë qëllimin për një sistem prokurorial më efektiv, llogaridhënës dhe transparent pa e cenuar pavarësinë e institucionit.

KPK-ja, dëshiron ta vë theksin në Opinionin e Komisionit të Venecias që potencon rrezikun e cenimit të pavarësisë së gjyqësorit, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare, në rast të ndryshimeve Kushtetuese për administrim të procesit të “Vettingut” në sistemin gjyqësor.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, propozimet dhe rekomandimet e nxjerra nga Opinioni i Venecias, do t’i fuzionojë në reformat e nisura si draft-dokumentin e Strategjisë së KPK-së, draft-dokumentin e digjitalizimit të prokurorive, si dhe kornizën rregullative, po ashtu në konceptimin e nismave të reja.

Me qëllim të koordinimit më efektiv të këtyre nismave brenda institucionit, KPK-ja do të themelojë komisione ad-hoc dhe grupe punuese të cilat në punën e tyre presim mbështetjen e vazhdueshme me ekspertizë nga partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë.

Ndryshe, Komisioni i Venecias ia ka dhënë dritën e gjelbër, pjesërisht, propozimit të Qeverisë së Kosovës për vetting në sistemin e drejtësisë.

Komisioni ka rekomanduar ndryshime legjislative që do të përmirësonin sistemin aktual të verifikimit të zyrtarëve në drejtësi, në veçanti për deklarimin e pasurisë dhe forcimin e njësive të vettingut brenda Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

Ndërsa, vetting, me ndryshime kushtetuese, ka thënë se mund të bëhet vetëm për krerët në sistemin të drejtësisë – kryeprokurorët dhe kryetarët e gjykatave.

Komisioni ka theksuar se një reformë e gjyqësorit në vend është “me të vërtetë e nevojshme”. Këtu ka përfshirë forcimin e kontrollit efektiv të integritetit, duke shtuar se kjo megjithatë mund të bëhet në nivel të ligjeve të zakonshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat