Përfshirja e amerikanëve në bisedime pritet ta qetësojë situatën

Aktuale

Përfshirja e amerikanëve në bisedime pritet ta qetësojë situatën

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 22:06
Gabriel Escobar, Miroslav Lajçak

Derisa po afrohet data kur është paralajmëruar vendosja e masave reciproke nga Qeveria e Kosovës për Serbinë, angazhimi i NATO-s po shihet si fakt që në atë pjesë të Kosovës, nuk do të lejohet të eskalojë situata.

Njohësit e rrethanave politike thonë se amerikanët do i detyrojnë të dy palët që të arrijnë marrëveshje, në mënyrë që të evitohet ndonjë konflikt i mundshëm më 1 shtator.

Kanë mbetur më pak se një javë nga data kur është paralajmëruar vendosja e masave reciproke nga qeveria e Kosovës për hyrje/daljet në pikat kufitare me Serbinë.

Derisa afati po afrohet, po vazhdon të shtohet angazhimi amerikan dhe evropian, që të arrihet marrëveshje mes kryeministrit kosovar,  Albin Kurti dhe presidentit serb,  Aleksandar Vuçiq, para datës 1 shtator.

E angazhimi i tyre do të sjellë efekt, thotë njohësi i çështjeve politike në Serbi, Dushan Janjiç.

Ai pret marrëveshje mes dy vendeve dhe fakt për këtë po e sheh angazhimin e NATO-s, si nga ana politike po ashtu edhe me shtimin e forcave në teren.

“Veriu i Kosovës do të jetë i qetë edhe me 1 shtator. Kurti dhe Vuçiq do të arrijnë marrëveshje për mos ta tensionuar situatën. Angazhimi i NATO-s fillimisht për arritjen e një pajtueshmërie mes dy vendeve dhe pastaj edhe me trupa shtesë në veri, tregon qartë se ata nuk do të lejojnë të ndodhë asnjë konflikt atje”, deklaroi Janjiç.

Se konflikt nuk do të ketë në veri po e thotë edhe Tomë Gashi.

Mirëpo, për bindjen e tij, kryeministri Kurti nuk do të ndalet dhe do e dërgojë Njësinë Speciale në veri, për ta zbatuar reciprocitetin për hyrje/daljet me palën serbe.

Lidhur me këtë temë i dërguari special amerikan në Ballkanin, Gabriel Escobar, ka zhvilluar  takime edhe me palën serbe në Beograd.

Ditë më parë, ai takoi krerët më të lartë të shtetit të Kosovës dhe liderët e partive opozitare.

Përkundër kërkesave nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, kryeministri kosovar, Albin Kurti, vazhdon të shpreh qëndrimin se reciprociteti do të nisë të zbatohet qysh të enjten e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat