Ish-ministri paralajmëron: Nga sot, dialogu i Brukselit nuk do të jetë i njëjtë, reciprociteti mori vulën Euro-Atlantike!

Aktuale

Ish-ministri paralajmëron: Nga sot, dialogu i Brukselit nuk do të jetë i njëjtë, reciprociteti mori vulën Euro-Atlantike!

Nga: A.ZH Më: 27 gusht 2022 Në ora: 20:38
Blerim Reka

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka thënë se pas ditës së sotme, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nuk do të jetë i njëjtë.

Teksa ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi për dokumentet për shtetasit e të dy vendeve, Reka ka thënë se bisedimeve asmiterike u skadoi afati i përdorimit, përcjell Bota sot.

Sipas tij, me reciprocitetin e zbatuar me 31 gusht, Kosova e detyroi Serbinë që të anulojë vendimin e saj për mosnjohjen e dokumenteve të Kosovës. Ndërsa, nga sot, sipas Rekës, ai mori vulën Euro-Atlantike.

Reagimi i tij në Facebook:

Quid pro Quo

Nga latinishtja (“çka për çka”; “diçka për diçka”; ose “shërbim për shërbim”), ky parim i lashtë tregtar, është thelbi i reciprocitetit në marrëdhëniet e sotme midis shteteve.

Në mungesë të një “qeverie botërore” e të një autoriteti supranacional, një shtet sovran nuk do të vepronte vet, sikur nuk do të detyrohej nga kundërveprimi i shtetit tjetër sovran. Sidomos kur dy shtete nuk njihen nga njëra-tjetra, e ku i vetmi instrument mbrojtës që i mbeti Kosovës, është pikërisht reciprociteti, si parim-shtyllë në raport me Serbinë. Pra, si përgjigje e natyrshme në mbrojtje të interesit shtetëror të Kosovës ndaj vendimeve unilaterale të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës sa herë që hynin në Serbi.

Reciprociteti i zbatuar me 31 gusht nga Kosova, pra e detyroi Serbinë që të anulojë vendimin e saj për mosnjohjen e dokumenteve të Kosovës. Nga sot ai mori vulën Euro-Atlantike.

Nëse reciprociteti u pranua për çështje teknike, nuk mund të paramendohet mospërfillja e tij, për çështjen thelbësore: marrëveshjen juridikisht obliguese për njohjen reciproke midis dy shteteve sovrane. Duket hap i vogël teknik, por i madh substancial.

Pas 27 gushtit 2022, Dialogu i Brukselit nuk do të jetë i njëjtë. Bisedimeve asmiterike u skadoi afati i përdorimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat