Gjykimi i Thaçit e të tjerëve më së voni në fillim të 2023-s

Aktuale

Gjykimi i Thaçit e të tjerëve më së voni në fillim të 2023-s

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 20:47
Hashim Thaçi

Takimi i paralajmëruar më gazetar e shoqëri civile të kryetares së Dhomave të Specializuara Ekaterina Trëndafilova është zhvilluar online, pas protestës së paralajmëruar kundër vizitës së saj në Gjilan. Trëndafilova ka thënë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të fillojë në fund të këtij vitit ose në fillim të vitit 2023, derisa ka thënë se nuk e di nëse ZPS-ja do të ngritë aktakuza të reja. Ka folur edhe rreth kërkesës që të ketë një mekanizëm kontrolli ndaj kësaj gjykate,.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit mund të nisë më së largu në fillim të vitit 2023.

Këtë paralajmërim e ka dhënë kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Pas protestave të paralajmëruara kundër vizitës së saj në Gjilan, e cila më pas edhe u anulua, Trendafilova ka bashkëbiseduar online me gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Teksa ka folur për nisjen e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Trendafilova ka thënë se rasti është voluminoz dhe se është duke punuar në këtë drejtim.

“Është e pritshme që në një rast të tillë që deri në fund të këtij viti dhe më së voni në fillim të vitit të ardhshëm do të fillohet procedura sepse gjyqtarët janë marrë me shqyrtimin e gjithë dokumenteve të rëndësishme të rastit. Gjyqtari i procedurës paraprake është duke punuar në çdo moment, duke angazhuar edhe festat e pushimit, bashkë me një ekip shumë të përkushtuar por rasti është shumë voluminoz”, tha Ekaterina Trendafilova – Kryetare e Dhomave të Specializuara.

Trendafilova ka thënë se nuk është në dijeni nëse do të ngrihen aktakuza të reja.

“Kjo është diçka që unë nuk e di, prokurori do të më njoftojë para se të dalë me ndonjë kërkesë për konfirmim të aktakuzës në mënyrë që unë të vë njoftimin dhe unë e caktoj gjykatësin e procedurës paraprake. Natyrisht nëse kjo ndodh brenda një periudhë të caktuar kohore, aktivitete të tilla mund të jenë konfidenciale, por deri më tani mund të ju them që nuk ka asgjë, nuk di asgjë”, tha Ekaterina Trendafilova – Kryetare e Dhomave të Specializuara.

Derisa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë përmendur nevojën për krijimin e një mekanizmi të pavarur që do të mbikëqyrte punën e Gjykatës Speciale, Trendafilova ka thënë se gjyqtarët nuk mund t’i nënshtrohen ndonjë kontrolli.

“Ne jemi gjykatë e cila bazohet në sundimin e ligjit dhe e dimë se sundimi i ligjit në çfarëdo shteti demokratik, në çfarëdo shoqërie demokratike obligon pavarësi të plotë absolute dhe paanshmëri kur gjyqtarët kryejnë punën e tyre. Kjo do të thotë se gjyqtarët nuk mund t’i nënshtrohen çfarëdo mbikëqyrje, çfarëdo kontrolli që vjen nga ekzekutivi apo legjislativi i një qeverie”, tha Ekaterina Trendafilova – Kryetare e Dhomave të Specializuara.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara ka shprehur qëndrimin e saj se nuk është kundër protestave. E pikërisht, anulimi i vizitës së saj për këtë të mërkurë në Gjilan, është bërë pas protestës së paralajmëruar nga Partia Socialdemokrate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat