“E turpshme, marre dhe e papërgjegjshme” / Vendimi i Francës për vizat zgjoi valë tërbuese

Aktuale

“E turpshme, marre dhe e papërgjegjshme” / Vendimi i Francës për vizat zgjoi valë tërbuese

Nga: Idriz Morina Më: 14 tetor 2022 Në ora: 16:00
Pamje nga pritjet e gjata për viza

Në një shtet ku kërcënimi i Qeverisë, është i zakonshëm, dhe ku cilido ministër mund të shënjestrohet nga mafia politiko-ekonomike-kriminale, kushtet për viza mund të mos hiqen, edhe herë të tjera.

Për aq kohë sa do të na shikojnë me llup, ne kemi mbet jashtë proceseve integruese, veçse më mirë do të ishte të mos vuajmë nga kompleksi i integrimit.

Shumë procese kemi mbështetur për këto më shumë se 20 vite, dhe asnjë prej tyre, nuk ka krijuar kompleks më problematik, se ai i integrimit.

Komplekse

Në fakt procesi i integrimit është kompleks edhe për shumë individ, pasi cilido person, që mund të vuajë nga mospërshtatja, e ka vështirësi kryesore integrimin.

Integrimin në jetën e një fshati të ri, në qytet apo kryeqytet, në studime, në një vend pune, apo në një debat publik.

Një grua më parë e ka pasur thuaja të pamundur që të debatojë apo të mos vuajë nga mungesa e përshtatjes në një ambient të dominuar nga burrat.

Pra, kjo çështja e integrimeve, përfshirë liberalizimin e vizave është kthyer në kompleks integrimi, aq sa i shtyn njerëzit, vetëm për t’u përshtatur të pranojnë çfarëdo kushti që u vihet, ‘në mënyrë që ata të integrohen’.

Ky qëllimi i përshtatjes, në një mënyrë e lufton dhe shkatërron ‘çdo strukturë pararendëse’, dhe është i krahasueshëm, me luftën që bëjnë tipet e kriminelëve, që mohojnë identitetin e tjetrit, dhe përdorin çdo mjet për t’ia shkatërruar identitetin të tjerëve, kështu ka bërë Millosheviçi, Rankoviçi e të tjerë me shqiptarët, dhe po ashtu kanë bërë Hitleri, Stalini, e deri tek Putini sot me të tjerët, përkatësisht me ukrainasit!

Prandaj, edhe ata që shpesh i servilosen shumë pushteteve apo edhe sistemeve duhet shikuar me sy kritikë kërkesat e tyre, zhurmën dhe veçmas orientimin, që ata mundohen të ta japin.

Në këtë kontekst, shqiptarët, dhe veçanërisht institucionet drejtuese aktuale, të cilat nuk i kanë komplekset dhe dështimet e së kaluarës, duhet të përgjigjen sipas situatës, dhe t’ia bëjnë të qartë opinionit, se rastet si kërcënimi aktual ndaj ministrit Peci, janë pasojë e lejimit dhe mbështetjes, nëse jo të krijimit, të strukturave kriminale, nga struktura qeverisëse dhe klane politike të më shumë se një dekade në të kaluarën.

Përveçse si një komb, një shtet i pavarur, shqiptarët janë me gjuhën e tyre, më autoktonët e Europës, përfshirë edhe me disa nga traditat dhe doket e ruajtura. Në këtë kontekst, ne në vend se të jemi prioritet i BE-së, për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë tonë, ne shihemi, sikur të ishim të fundmit e Europës, të ardhur në shekullin e 20-të mbase.

Pra, kundrimi, perceptimi ndaj nesh duhet të ndërrojë, ashtu siç ia pat dalur, këtë ta ndryshonte thuajse deri në përmbysje Ibrahim Rugova.

Ajo politikë e udhëhequr nga ai, ato mesazhe të tij, duhet rimarrë në konsiderim, në mënyrë që politikanët, institucionet ta kenë të qartë vizionin me të cilin, ne mund ta bëjmë Europën të na respektojë, jo vetëm si viktima të dikurshme, por si një shoqëri që ka krijuar vlera universale, dhe mund ta bëjë dhe do ta bëjë këtë, si në kohën e artë mesjetare me Skënderbeun apo në lashtësi me Aleksandrin e Madh, Pirron e të tjerë edhe më në thellësi të kohës.

Pra, ne nuk jemi barrë për Europën, edhe pse mund të tingëllojë ashtu, për shkak të disa krizave dhe dështimeve, që i ka prodhuar një sistem gjysmë i dështuar, për më shumë se një dekadë.

Image
“E turpshme, marre dhe e papërgjegjshme”, shkruan eurodeputeti holandez Reuten.

Jehona ndërkombëtare

Në pajtim me atë që parashtrova në fillim, se nuk duhet ta kemi, mbajmë apo krijojmë kompleksin e ‘integrimit’, duhet ta kemi të qartë, që vlerat europiane në vetvete janë fisnike, dhe pavarësisht lojërave jo të shëndosha që bëhen, ne duhet ta ruajmë fisnikërinë tonë. Kjo aq më tepër, pasi ia kemi dal, si në çlirimin e Kosovës, që të thyhen thuajse të gjitha barrierat, dhe të ndahemi nga Serbia përgjithmonë.

Kjo është arritur në saje të atyre europianëve që i mbrojnë dhe i afirmojnë ato vlera. Dhe kjo i bën si deputetin holandez Thijs Reuten, që të reagojnë edhe emocionalisht, dhe të jenë edhe më të ashpër, me ata europian apo vende, që i shkelin këto vlera, se sa vetë ne.

“E turpshme, marre dhe e papërgjegjshme. Pas një raporti jashtëzakonisht pozitiv shtesë për udhëtimin pa viza për Kosovën me kërkesë të Holandës, i bashkohet një grup vendesh që kanë dalë me një justifikim të ri për të shtyrë sërish vendimin”, shkruan Reuten.

Në këtë frymë, kanë reaguar edhe shumë analist, intelektualë dhe të tjerë, duke e akuzuar veçanërisht Francën, që në kontekst historik shihet si mbështetëse e serbëve, në raport me shqiptarët.

Edhe drejtues të Bashkimit Europian krijuan shpresën për një vendim pozitiv nga Këshilli i BE-së, për heqjen e vizave. Dy ditë më parë, Oliver Varhelyi, Komisionari përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit të BE-së, ka deklaruar për mediat në Shqipëri, se “shpreson që kjo të ndodhë deri në fund të këtij viti”.

Të shpresojmë që vërtetë kjo të ndodhë deri në fund të vitit, heqja e vizave.

Image
Komisionari Varhelyi, shpreson që vendimi për vizat të merret deri në fund të këtij viti.

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat