​Ministrja Hajdari në Greqi diskuton për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare

Aktuale

​Ministrja Hajdari në Greqi diskuton për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 11:02
Foto nga takimi

Në kuadër të thellimit të raporteve të mëtutjeshme në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë, delegacioni i udhëhequr nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe në shoqërim nga drejtuesi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë, Fitim Gllareva, u pritën në takime nga përfaqësues të lartë të Greqisë.

Fillimisht, ministrja Hajdari u mirëprit në takim me ministrin Alternativ të Zhvillimit dhe Investimeve, Nikolaos Papathanasis, ku palët reflektuan në portofoliot e ministrive që udhëheqin, duke i kushtuar fokus të veçantë sektorëve industrial dhe reformave të nevojshme strukturore për lehtësimin e të bërit biznes. Ministrja Hajdari me zëvendësministrin Papathanasis shkëmbyen përvojat në fushën e investimeve strategjike për të cilën fushë pala greke ofrojë mbështetje institucionale përmes departamentit të investimeve strategjike dhe agjencisë ekzekutive, Enterprise Greece.

Në vijim, ministrja Hajdari takoi zëvendësministren e Turizmit, Maria Zaharaki, me të cilën diskutuan për zhvillimet dhe të arriturat në fushën e turizmit në Kosovë dhe Greqi dhe mundësitë e zhvillimit të ofertave turistike me vendet e rajonit për përfitime të përbashkëta për të sjellur punësim, rritje të të ardhurave në Evropën Juglindore.

Zëvendësministrja Zaharaki e shtjelloi rëndësinë që ka turizmi për zhvillimin ekonomik të Greqisë dhe prezantoi të gjitha programet turistike greke që kanë kontribuar në rritjen ekonomike.

Sipas një komunikate të ministrisë, palët u pajtuan që në të ardhmen të bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta turistike për Evropën Juglindore, me fokus në promovimin e vlerave të përbashkëta me kulturë të pasur dhe qytetërim të lashtë.

Gjatë qëndrimit në Athinë, delegacioni kosovar u prit në takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme për Diplomacinë Ekonomike dhe Hapje, Kostas Fragogiannis, i cili theksoi rëndësinë për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare në mes dy vendeve, derisa shtoi domosdoshmërinë që ka integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Greqia po ndjek një qasje konstruktive politike, si pjesë e përkushtimit të saj për forcimin e paqes, stabilitetit dhe promovimit të zhvillimit në Evropën Juglindore.

Në këtë kontekst, ministrja Hajdari diskutoi me zëvendësministrin Fragogiannis për përparësitë e zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike me Kosovën në sektorët industrial në interes të përbashkët, për plotësim të furnizimeve të zinxhirit të vlerës në nivel rajonal dhe më gjerë. Ministrja Hajdari e falënderoi Zëvendësministrin Fragogiannis për mbështetjen politike të Greqisë për Kosovën, gjatë proceseve të shtet-ndërtimit dhe anëtarësimit në organizata të rëndësishme euro atlantike.

Delegacioni i ministres Hajdari përfshin edhe 10 biznese kosovare, që do të jenë pjesë e forumit të biznesit dhe rrjetëzimit me biznese greke, me qëllim të rritjes së shkëmbimeve tregtare Kosovë-Greqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat