​Haradinaj pas takimit me Cholletin: Shtrova nevojën urgjente për marrëveshje finale me Serbinë

Aktuale

​Haradinaj pas takimit me Cholletin: Shtrova nevojën urgjente për marrëveshje finale me Serbinë

Më: 11 janar 2023 Në ora: 19:16
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se gjatë takimit me këshilltarin e Departamentit amerikan, Derek Chollet, i ka shtuar atij nevojën urgjente për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Haradinaj ka thënë se kjo marrëveshje duhet të përmbajë njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve.

“Në një takim përmbajtjesor me delegacionin nga Departmenti i Shtetit i kryesuar nga z. Derek Chollet, Këshilltar i lartë, z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, Spencer Boyer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe NATO-n, dhe me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, shtrova nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë, si hap i domosdosshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka shtuar se ka shtruar edhe nevojën e integrimit të plotë të qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës si dhe zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit.

“Falënderova përfaqësuesit amerikanë për ndihmën e vazhdueshme të ShBA-ve në të gjitha fazat e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e tyre edhe në këtë fazë të ndjeshme pa të cilën vështirë se do të mund të arrijmë një marrëveshje përfundimtare të paqes”, ka thënë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat