Atiq betohet si kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, “blindohet” objekti i komunës

Aktuale

Atiq betohet si kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, “blindohet” objekti i komunës

Më: 19 maj 2023 Në ora: 06:44 Përditësuar në ora: 12:19 më 19.05.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kransiqi: Qeveria do të jetë në mbështetje të kryetarëve të zgjedhur në veri

Pas betimit, kryetari i veriut të Mitrovicës, Erden Atiq, ka deklaruar se ai dhe ekipi i tij do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës që të takojnë politikanët e zgjedhur në mënyrë të arrijnë bashkëpunimin.

Para gazetarëve, Atiq ka thënë se angazhimin më të madh do ta kenë në normalizimin e kësaj pjese të vendit.

Atiq: Do të punoj për të gjithë, pa dallim

“Unë si kryetar komune, me gjithë ekipin, do të punoj për të gjithë qytetarët e komunës veriore të Mitrovicës, pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh kemi me bë për me normalizu këtë pjesë të komunës edhe i bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të vinë të na takojnë dhe të na vizitojnë këtu dhe të bashkëpunojnë sam ë mirë për të mirën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të bëjnë përpjekje të lehtësojnë jetën e qytetarëve duke zgjidhur problemet të cilat ata i konsiderojnë.

Atiq: Jam kryetar si rezultat i zgjedhjeve

“Gjithçka është në kuadër të ligjit, ne kemi edhe të drejta edhe obligime kushtetuese, procesi zgjedhor, rezultati i procesit zgjedhor, gjithçka ka shkuar në kuadër të ligjeve, sa i përket deklaratave nuk kam asgjë çka të shtoj, përveç asaj çka thash më herët, jemi të gjithë qytetarët, kishim pas dëshirë me dalë përqindje më e madhe të qytetarëve, ky është rezultati, unë në cilësi të kryetarit të komunës jam si rezultat i atyre zgjedhjeve”, ka thënë Atiq.

E për ta mbështetur në ditën kryesore të tij, krah kryetarit të ri të veriut të Mitrovicës ka qëndruar ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Kransiqi: Qeveria do të jetë në mbështetje të kryetarëve të zgjedhur në veri

“Si Qeveri do të jemi në mbështetje të tyre sikurse secilës komuna tjetër në Republikën e Kosovës, në implementimi ne mandatit të tyre ligjor dhe kushtetues. Shumë e rëndësishëm që qytetarët e pjesës veriore të kenë shërbime adekuate cilësore edhe të kenë komunën dhe kryetarin, dhe nënkryetarin afër tyre. Për ne është shumë e rëndësishme kjo përbërje e kabinetit të kryetarit, është shumë e rëndësishme që qyteti multi-etnike të ketë edhe këtë përbërje, secili veprim dhe vendim i kryetarit do të ketë mbështetjen e nivelit qendror. Si qeveri jemi në mbështetje të gjithë kryetarëve”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë me organizmin e betimit edhe për tre kryetarët e tjerë të zgjedhur në veri.

Krasniqi: Do të organizojmë seancat konstituive të kuvendeve komunale në veri

“Sot përfunduam betimin e kryetarit Atiq, Ditëve në vijim sigurisht që do të vazhdojmë me organizimin e seancave të kuvendeve, të konstituohen kuvendet, aty ku duhet të bëhen, dhe dhënien e betimit të kryetarëve të komunave, sigurisht që propozimi për datën do të vijë nga vet kryetarët e zgjedhur dhe mandej ne si ministri do t’i organizojmë seancat...Takime kam pasur me kryetarët e zgjedhur, takime publike, jemi në koordinim e sipër presim propozimet nga kryetarët, ende nuk kemi propozime, jemi dakorduar ti bëjmë një nga një, kështu po presim.”, ka thënë ai.

Ndërsa lidhur me vendimin e kësaj komune, për hapjen e urës mbi Ibër, Krasniqi ka thënë se i nëjti është në procedura të kontrollimit të ligjshmërisë.

Krasniqi: Vendimi për urën mbi Ibër është në procedura të kontrollit të ligjshmërisë

“Kuvendi komunal i Mitrovicës së veriut veç ka marrë një vendim, ky vendim është në MAPL në kontrollim të ligjshmërisë dhe proceseve administrative, porsa të përfundojë ky vlerësim do të jetë në tryezën time dhe mandej do të vazhdoj me procedimin e tij”, ka thënë ai.

Ndërsa nënkryetarja e zgjedhur, Katarina Axhanqiq, ka thënë se është koha të punohet së bashku duke pasur prioritet interesat e qytetarëve.

Axhanqiq: Është koha të ulemi të punojmë së bashku

“Mendoj se është koha që më në fund të ulemi dhe të pajtohemi së bashku se cilat janë prioritetet e qytetarëve tanë, qytetarët tanë meritojnë, nëse e meritojnë të gjithë, por sidomos qytetarët tanë, t'ua lehtësojmë, t'ua bëjmë jetën më të mirë, që më në fund të fillojnë të rregullojmë diçka dhe të bëjmë diçka. Janë mbledhur shume probleme në të gjitha segmentet, qe nga komunale e tutje, ju vete e dini për të gjitha ngjarjet që e përcollën këtë dimër dhe pranverë, ndaj jemi të vendosur të kemi një ekip të mirë dhe një bashkëpunim të mirë me qytetarët për të bërë së bashku gjithçka që mund të rregullohet dhe bëhet”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse ka takuar serbët lokal, ajo ka thënë se nuk ka pasur takime të tilla, por pret të ketë tani e tutje.

Atiq pas betimit: Do të punoj pa dallim dhe diskriminim

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, pas betimit ka thënë se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.

Atiq, mes tjerash, tha se bashkë me ekipin e tij synim ka normalizimin e gjendjes në këtë komunë të veriut.

“Si kryetar bashkë me ekipin bëjë të ditur se do të punojmë bashkë me të gjithë qytetarët e komunës së Mitrovicës së Veriut pa dallim dhe pa diskriminim”.

“Angazhimin më të madh do ta bëjmë për të normalizuar këtë pjesë të komunës dhe i bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të vijnë dhe të na takojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e tyre”, u shpreh Atiq.

Atiq merr vendimin e parë si kryetar i Mitrovicës së Veriut

Erden Atiq ka kryer sot procedurën e betimit të tij si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut.

Pas përfundimit të procedurës së betimit, Atiq ka marrë vendim për emërimin e Katarina Agjanqiq nga komuniteti serb si nënkryetar të Komunës.

‘Në cilësinë e kryetarit të Komunës e emëroj zonjën Katarina Agjanqiq për nënkryetare të Komunës”, ka thënë Atiq.

Erden Atiq betohet si kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

Erden Atiq është betuar si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut, pas fitores në zgjedhjet e 23 prillit.

Atiq u shoqërua nga një numër i madh i forcave të sigurisë jashtë dhe brenda objektit të komunës që do të udhëheq.

Kjo ka bërë që policia të “blindojë” objektin e komunës teksa ka bllokuar edhe të gjitha rrugët dytësore që shpien tek ndërtesa e komunës.

Pjesëmarrës në betimin e tij ishin edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Nis ceremonia e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut

Ka nisur ceremonia e betimit të kryetarit të zgjedhur të Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljani ka thënë se kanë mjaftueshëm asamblistë për të kryer procedurat e betimit.

Betimi si kryetar, Erden Atiq arrin në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut

Kryetari i zgjedhur i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq ka arritur në ndërtesën e komunës ku edhe pritet që ta bëjë betimin e tij si kryetar.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljani ka thënë se kanë mjaftueshëm asamblistë për të kryer procedurat e betimit.

Ceremonia e betimit pritet të nis në orën 11:00.

Flamuri i Kosovës vendoset në komunën e Mitrovicës së Veriut

Kanë mbetur edhe pak minuta nga fillimi i mbledhjës së kryesisë së Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut ku do ta bënë betimin kryetari i kësaj komune Erden Atiq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut tashmë është vendosur Flamuri i Kosovës.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut, Nedzad Ugljan tha se janë të pajtimit për ta bërë këtë meqë në institucionet e Kosovës duhet të jenë simbolet e saj.

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut ku në ora 11:00 pritet të bëhet betim i kryetarit të kësaj komune Erden Atiq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i pranishëm tashmë është edhe EULEX-i.

Sveçla dhe Krasniqi marrin pjesë në ceremoninë e betimit të kryetarit të Mitrovicës së veriut

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, do të bëjë betimin në ndërtesën e kësaj komune. Situata aktualisht është e qetë, por vërehet shtim i policisë dhe EULEX për të mbajtur sigurinë gjatë kësaj ceremonie.

Ndërkaq, aty pritet të jenë edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Krasniqi, tha në mëngjes se në komunat veriore deri tani ka pasur kryetar që nuk kanë qenë në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të grupeve kriminale.

Ministri Krasniqi theksoi tutje se janë përkujdesur për të gjitha pjesët administrative, teksa shtoi se presin që gjatë ditëve në vazhdim të caktojnë edhe seancat për konstituimin e tri kuvendeve tjera në veri brenda afateve ligjore.

Në zgjedhjet e 23 prillit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq ka marrë 66.9% të votave.

Para betimit të kryetarëve të rinj kanë reaguar edhe shtetet e QUINT-it, të cilat përmes një deklarate u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin.

Majori Xhafa: S’presim tensione në inaugurimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut

Shefi i operativës rajonale të Mitrovicës së Veriut, Majori Shkëlzen Xhafa ka thënë se nuk presin që të ketë tensione në betimin e kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut.

Në një prononcim për media, Xhafa ka deklaruar se të gjitha masat e nevojshme tashmë janë ndërmarrë.

“Policia e Kosovës në bazë të autorizimeve të tyre i ka marrë të gjitha masat në aspektin e sigurisë. Ne si Polici kemi vendosur zyrtar policor të rregullt që më shumë do të merren me çështjet e trafikut se nuk presim që të ketë ndonjë tension në këtë inaugurim…Kem zyrtar civil brenda e rreth objektit. Nuk ka ngritje të masave. Të gjitha masat janë ndërmarrë sikur në çdo vend tjetër”, ka deklaruar ai.

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, do të bëjë betimin më 19 maj në ndërtesën e kësaj komune, me ç’rast do të nisë zyrtarisht mandatin e tij si kryetar.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill të këtij viti, kandidati nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota, përkatësisht 66 përqind të votave në total.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të gjitha të banuara me shumicë serbe, u mbajtën pas dorëheqjeve të kryetarëve nga Lista Serbe. Një veprim i tillë erdhi pasi Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendimin që të bëhej konvertimi i targave në “RKS”.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor. Të njëjtat u bojkotuan në masë të madhe nga pjesëtarët e komunitetit serb.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës: Janë bërë të gjitha përgatitjet për betimin e kryetarit të ri

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut, Nedzad Ugljan, tha në një deklarim për media se janë bërë të gjitha përgatitjet për betimin e kryetarit të ri.

Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

Në ditën kur pritet betimi i kryetarit të ri në veri të Mitrovicës, shtetet e QUINT-it sërish u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin.

Në një deklaratë të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar thuhet se më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

Megjithatë, në deklaratë thuhet se pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna, gjersa u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat