Konjufca takon senatorët amerikanë, thotë se Kosova s’pranon asnjë asociacion që cenon sovranitetin

Aktuale

Konjufca takon senatorët amerikanë, thotë se Kosova s’pranon asnjë asociacion që cenon sovranitetin

Më: 22 maj 2023 Në ora: 18:36
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, të shoqëruar nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Në takim u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe rajon, integrimin në institucionet euroatlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe, miqësinë e përhershme, partneritetin e palëkundur dhe aleancën strategjike mes shteteve dhe popujve tanë.

Ai theksoi se mbështetja e ShBA-së është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova. Gjithashtu përsëriti qëndrimin e vendit, mbështetur edhe në garancinë e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës.

Konjufca falënderoi senatorët për angazhimin e tyre personal në proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të ShBA-së në çlirimin, shtetndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Konjufca dhe senatorët amerikanë konstatuan se marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së është speciale dhe shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat