Shpërndahen protestuesit në Zveçan

Aktuale

Shpërndahen protestuesit në Zveçan

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 15:28
Zveçan

Protestuesit serbë të cilët po qëndronin para objektit komunal në Zveçan, tashmë janë shpërndarë.

Media raporton se ata u shpërndanë pas një rrebeshi të shiut në këtë komunë.

Ndryshe, përfaqësues të Listës Serbe pas takimit me emisarët ndërkombëtarë, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, kanë mbajtur një fjalim para protestuesve serbë në Zveçan, porse mediat nuk janë lejuar të marrinë pjesë.

KosovaPress ka insistuar ta pyes kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq lidhur me takimin që kishin me Lajçak dhe Escobar, si dhe qëndrimin e përfaqësuesve serbë pas atij takimi, por Rakiq vetëm ka thënë se protestat do të vazhdojnë.

Ndonëse në kushte të papërshtatshme atmosferike, protestuesit serbë që njëherësh janë punëtorë të institucioneve publike janë nënshkruar në listat e evidencës teksa shpërndaheshin.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe në Zubin Potok.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të mbrëmshëm me emisarët evropianë dhe amerikanë Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar, ka thënë se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët dhe grupet kriminale serbe ndaj organeve të sigurisë dhe gazetarëve. Ndërsa emisarët parashtruan tri kërkesa për të cilat deklaruan se presin të dëgjohen nga Qeveria e Kosovës.

“I pari është deeskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat