Kryeministri Rama do takohet me presidenten Osmani

Aktuale

Kryeministri Rama do takohet me presidenten Osmani

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Kryeministri shqiptar nuk do ta anulojë turin e tij ballkanik, pavarësisht se Albin Kurti nuk pranoi që ta takojë.

Edi Rama do të fluturojë këtë të enjte në mëngjes në Shkup për t’u takuar me kryeministrin Kovaçevski, dhe më pas do të vijojë sipas planit, vizitën në Prishtinë.

Pavarësisht refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për ta pritur në një bisedë kokë më kokë, Edi Rama do ta vizitojë Kosovën, por do të takohet vetëm me presidenten Vjosa Osmani.

Ky takim është konfirmuar nga ABC News përmes burimeve konfidenciale.

Vetë Edi Rama, në një dalje për mediat, nuk e komentoi gjatë përplasjen e re me Albin Kurtin, por vetëm konfirmoi se ai do të jetë në Kosovë të enjten në mbrëmje.

“Jam këtu vetëm për këtë vendim, sa i përket vajtjes nesër në Prishtinë dhe gjithë turit, do të flas kur të jetë koha për të folur që është nesër në Prishtinë.” -u shpreh Rama, në përgjigje të interesit të medias në përfundim të mbledhjes së qeverisë.Plani paraprak është që në fund të cdo takimi, shefi i qeverisë shqiptare të mbajë konferencë shtypi me liderët që do ta presin.

Të premten, Rama do të fluturojë për në Bosnjë Hercegovinë, dhe më pas në Mal të Zi.

Në të dy këto shtete do të takohet me kryeminsitrat. Stacioni i fundit i turit të shefit të qeverisë shqiptare, do të jetë Beogradi. Atje e pret presidenti Aleksandër Vuçiç.

Tensionet në veri të Kosovës, stabiliteti i rajonit dhe kalimi nga Open Ballkan, në Procesin e Berlinit, janë temat kryesore të 5 takimeve të Ramës këto dy ditë.

Takimi i radhës si këtij procesi do të mbahet në fillim të tetorit në Tiranë, dhe përbën arsyen e ndërmarrjes së këtij turi nga Edi Rama në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Procesit të Berlinit. Por në Prishtinë e Beograd, diskutimet do të mbizotërohen nga kriza mes Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat