Rreziku nga konflikti civil/ Polarizimi i partive politike “rrezikon ta përçajë shoqërinë”

Aktuale

Rreziku nga konflikti civil/ Polarizimi i partive politike “rrezikon ta përçajë shoqërinë”

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 18:44
Përleshja fizike në Kuvendin e Kosovës më 13 korrik 2023.

“E turpshme”, “katastrofë” dhe “e papranueshme” është ajo që ndodhi, të enjten, në Kuvendin e Kosovës, thonë disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë.

Derisa po mbahej seancë plenare, në paraditen e 13 korrikut, në Kuvendin e Kosovës nisën përplasjet ndërmjet pushtetit dhe opozitës, të cilat u shkallëzuan në përleshje fizike ndërmjet disa anëtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe deputetëve të caktuar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në njërën anë, si dhe disa deputetëve të subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në anën tjetër.

Përfaqësues të të dy partive politike kanë fajësuar palën tjetër për nisjen e përleshjes, por kanë bërë thirrje që kundërshtimet politike të mos shkallëzojnë në armiqësi politike.

Njohësi i proceseve politike, Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, vlerëson se tashmë ka sinjale se këto kundërshti kanë ngjyrime të armiqësisë politike, dhe se ato dërgojnë sinjale tejet negative dhe përçarëse në opinion.

Përleshja, “e papranueshme”

Burim Ratkoceri, qytetar nga Prishtina, thotë se pamjet e dhunës, të cilat u transmetuan nga Kuvendi i Kosovës, ishin të tmerrshme, pavarësisht se kush ishte nismëtar i tyre.

“Ajo që ndodhi në Kuvend është tërësisht e papranueshme, në çdo kohë, në çdo qeveri, cilado parti që është në pushtet ose në opozitë. Ajo që pamë, nuk duhet të ndodhë asnjëherë, në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye”, shprehet Ratkoceri.

Ilmi Bajraktari pohon se sjellja e deputetëve dhe pjesëtarëve të ekzekutivit, të cilët u përleshën në Kuvendin e Kosovës, është tejet zhgënjyese.

“Ishte katastrofë e madhe ajo që ndodhi. Për një njeri që është i shkolluar, ulet aty [në Kuvend], dhe ndodhin këso rastesh - gjuhen, grushtohen, rrihen, shajnë, nuk lënë gjë pa thënë – unë nuk di çfarë të them. Ky popull duhet të vetëdijesohet, dhe herëve tjera këtyre njerëzve të mos u jep më votë”, thotë Bajraktari.

Fatmir Muçolli vlerëson se përleshja në Kuvend nuk pasqyron vetëm kundërshtimet politike ndërmjet subjekteve që përfaqësohen aty, si pushtet dhe opozitë, por armiqësinë e hapur.

“Ato janë armiqësi, hasmëri, ku nuk janë në gjendje veten ta kontrollojnë. Ajo gjuhë e urrejtjes, ajo armiqësi ngjyroset në popull. Për këtë arsye, populli është sëmurë, është politizuar në çdo segment”, thekson Muçolli.

Si kulmuan tensionet?

Tensionet në Kuvendin e Kosovës, më 13 korrik, u rritën pas kritikave që pasuan publikimin e disa përgjimeve, ku ishte përfshirë shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka pranuar se ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili gjendet në listën e zezë amerikane, si dhe kërkohet nga autoritetet gjyqësore të Kosovës.Konflikti nisi derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, iu afrua foltores dhe e gjuajti me ujë Kurtin, dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.

Në mbrojtje të të dyve doli ministri i Financave, Hekuran Murati, të cilin Lushtaku pastaj e shtyu fizikisht me duar. Bislimi goditi me shishen e tij me ujë deputetin Lushtaku, i cili, më pas, pati përplasje fizike edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

E gjithë kjo pasoi me shkëmbim goditjesh dhe fyerjesh nga deputetë të caktuar nga të dyja palët.

Policia e Kosovës, e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit, ndërhynë për t’i ndalur përleshjet.

“Ne mund të kemi dallime, por jo dhunë fizike”

Nga partia në pushtet, LVV, dhe ajo në opozitë, PDK - deputetët e të cilave u përfshinë në përleshje fizike - vlerësojnë se përshkallëzimi i mëtejmë duhet të shmanget.

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, thotë për Radion Evropa e Lirë se skena politike e Kosovës duhet të shmangë rrëshqitjen drejt armiqësive ndërmjet subjekteve politike.

“Unë nuk mendoj se skena politike e Kosovës duhet të armiqësohet. Sidomos jo për temat, të cilat ndërlidhen me dialogun politik me Serbinë, me shtrirjen e sovranitetit dhe zbatimin e Kushtetutës në veri të vendit. Ne mund të kemi dallime dhe përplasje për çështje të brendshme, dhe kjo është legjitime. Madje, edhe kur debatet shkojnë deri në skajet e fjalës, por jo të dhunës fizike”, thekson Rrustemi.

Megjithatë, ai fajëson PDK-në për ngritjen e tensioneve në Kuvend, dhe për inicimin e përleshjes fizike.

“Palët duhet të ndërgjegjësohen”

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se tashmë edhe LVV-ja, por edhe partia së cilës ai i përket, duan të shfajësohen për përleshjen në Kuvend.

Ai vlerëson se kundërshtitë, me ngjyrime armiqësie, ka kohë që janë akumuluar nga të dyja krahët, pushteti dhe opozita. Por, sipas tij, asnjëherë nuk është pritur të ketë reagime, deri në nivelin e përleshjes fizike.

“Unë dua të besoj në ndërgjegjësimin e të dyja palëve, por edhe të individëve në këtë rast, që të mos përsëriten ngjarjet e tilla në Kuvendin e Kosovës, sepse nuk është problemi që individualisht ose personalisht e dëmtojmë njëri tjetrin, ose se kemi dëshirë ta dëmtojmë. Nuk ka të bëjë me atë se kush përfiton nga ne, opozita apo pushteti. Çështja është se prej kësaj situate ka humbje Kosova”, thekson Haliti.

Rreziku nga konflikti civil

Demhasaj nga “Çohu” thotë se dhuna e shfaqur në seancën e Kuvendit, më 13 korrik, ka shpërfaqur polarizimet e skajshme të partisë në pushtet dhe të atyre në opozitë.

Ky polarizim, sipas tij, është i kamotshëm, dhe i ushqyer nga partitë politike.

Demhasaj vlerëson se ekziston rrezik i madh që ky polarizim të shndërrohet në polarizim të vet shoqërisë në Kosovë.

“Kemi shoqëri të ndarë, nga ana që përkrahin partitë opozitare dhe nga ata që përkrahin partinë në pushtet. Ky polarizim i skajshëm i partive në Kuvend, mund të rrezikojë që të shfaqet edhe te qytetarët. Gjithmonë duhet ta kemi parasysh që ekziston rrezik i madh, që e gjithë kjo pastaj të shndërrohet në një konflikt civil brenda Kosovës”, thotë Demhasaj.

Ai shton se tashmë sinjalet që dërgohen në përditshmëri nga partitë politike, por edhe nga përplasjet e qytetarëve përmes rrjeteve sociale, sinjalizojnë rrezikun e hyrjes në një fazë ku palët janë të ndara në taborë që e fusin njëri-tjetrin në armiqësi.

Për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm, sipas tij, duhet të angazhohen të dyja palët, pushteti dhe opozita.

“Po e shohim se sa shpejt një situatë mund të dalë jashtë kontrollit, sikurse situata [më 13 korrik] në Kuvend. Prandaj, mendoj që partia në pushtet ka përgjegjësi më të madhe për ta ruajtur stabilitetin politik, por edhe të shoqërisë. Por, edhe partitë opozitare, që janë të përfaqësuara në Kuvend, duhet ta luajnë rolin e tyre, që të mos përshkallëzojë ky polarizim politik, edhe në polarizim të shoqërisë, që mund të çojë në një konflikt civil në shoqërinë tonë”, thekson Demhasaj.

Kërkim falje ndaj njëri-tjetrit?

Deputeti i VV-së, Rrustemi, vlerëson se nuk është në interesin e pushtetit që të përshkallëzohet situata me partitë opozitare.

“Unë uroj që raportet të mos shkojnë drejt përshkallëzimit, dhe në drejtim të një konflikti. Po, ne jemi të vendosur për të përmbushur zotimet dhe premtimet tona. Ne jemi të vendosur për ta fuqizuar shtetin ligjor në Kosovë, për ta fuqizuar luftën kundër korrupsionit. Ne jemi të vendosur për të qeverisur drejt dhe ndershëm. Nëse kjo paraqet pengesë të padurueshme për ndonjë deputet të opozitës, këtë hall nuk mund t’ia heqim dot”, shprehet Rrustemi.

Haliti nga PDK-ja shpreh mendimin se të dyja palët duhet të jenë të përgjegjshme dhe të mos lejojnë rrëshqitje drejt armiqësisë. Por, për një gjë të tillë, sipas tij, kërkohet vullnet i dyanshëm.

“Do të ishte e rrugës që të takohemi njëri me tjetrin dhe kush ka mundësi edhe t’i kërkojë falje njëri-tjetrit. Por, unë nuk e kisha përjashtuar edhe përgjegjësinë politike [ndaj individëve], në secilin variant, në kampet e të dyja palëve, të cilët mund të konsiderohen në të ardhmen si plëngprishës për situatat që mund të krijohen në të ardhmen”, thotë Haliti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat