Cilat janë zonat më të rrezikuara nga Murtaja Afrikane e derrit, flasin nga AUV-i

Aktuale

Cilat janë zonat më të rrezikuara nga Murtaja Afrikane e derrit, flasin nga AUV-i

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 19:19
Sadik Heta

Gjatë ditës së hënë ekipet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë njoftuan se në një fermë në Kllokot është paraqitur për herë të parë sëmundja Murtaja Afrikane e Derrit, ku edhe më pas u bë izolimi i vendit.

Për këtë çështje, Sadik Heta, drejtori i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve-AUV, tha se zonat e rrezikuara nga kjo sëmundje mund të jenë të gjithë ato shtëpi apo ferma të cilat kultivojnë derra.

“Zonat e rrezikuara mund të jenë të gjitha ato zona  të cilat ka derra ose të gjitha ato familje ose ferma që kultivojnë derra duke  përfshi pjesën e Gjilanit, të Mitrovicës, së Pejës dhe Gjakovës, duke pasur parasysh që në regjionin e Pejës dhe Gjakovës kemi shqiptar të religjionit katolik dhe mbajnë derra. Të gjithë ato ferma që mbajnë derra mund të jenë potencialisht të rrezikuara nëse nuk i respektojnë të gjitha masat që ne si agjencion i kemi lajmëruar me kohë për të gjithë fermerët”, tha ai.

Sipas Hetës, është shumë e rëndësishme që si masë parandaluese të bëhet dezinfektimi në ferma, të ndalohen hyrje-daljet e njerëzve të panjohur në ferma, sepse si tha ai, kjo sëmundje mund të bartet nga ferma me derra të sëmurë në fermë të derrave të shëndoshë.

“E para duhet të kenë kujdes që hyrje daljet në fermat e tyre, ti kontrollojnë mos të lënë njerëz të panjohur që mund të jenë potencialisht bartës, sepse ky virus bartet përmes këpucëve, rrobave, pajisjeve të ndryshme mund të bartet nga ferma e infektuar në fermën e shëndoshë. Pra masat kryesore janë ndalimi i lëvizjeve, hyrje daljeve në ferma, dezinfektimi, dezbarierat e ndryshme, dhe potencialisht kontakti me derrat e egër që mund të jetë edhe shkaktari kryesor”, shtoi ai.

Ndryshe, Murtaja Afrikane e Derrit  është sëmundje ngjitëse që shkakton ethe hemorragjike tek derrat e butë dhe derrat e egër, ndërsa përcillet me letalitet të lartë deri në 100 përqind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat