Manipulimi me çmimin e naftës, ndërhyn Ministria, ua cakton marzhën e fitimit pompave të derivateve

Aktuale

Manipulimi me çmimin e naftës, ndërhyn Ministria, ua cakton marzhën e fitimit pompave të derivateve

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 15:10
Ilustrim

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.

Sipas MINT ky vendim është marrë për shkak se nga monitorimi në terren është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror.

“Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Vendimi është bazuar në monitorimin e rregulltë të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror.
Kjo përbën bazë për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse sipas Ligjit Nr.08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme dhe Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”
, thuhet në vendim.

Sipas njoftimi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ua ka caktuar marzhën e fitimit prej 2 centë për litër në shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër në ato me pakicë pompave të derivateve.

Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.

Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat