Shkarkohet një Avokate Shtetërore, Sallahu thotë se ajo e dëmtoi buxhetin për 500 mijë euro

Aktuale

Shkarkohet një Avokate Shtetërore, Sallahu thotë se ajo e dëmtoi buxhetin për 500 mijë euro

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 17:12
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka bërë të ditur se me vendimin e Komisionit Disiplinor të kësaj ministrie është shkarkuar nga Shërbimi Civil, Avokatja Shtetërore I.A.

Sipas Sallahut, avokatja ka dëmtuar institucionet publike por edhe buxhetin e shtetit në vlerë në mbi 500 mijë euro.

“Ka lidhur ujdi në vlerë prej 505.000,00 eurosh pa e njoftuar Avokaturën Shtetërore dhe Departamentin e shpronësimit, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit”, shkroi Sallahu.

Tutje, ai tha se Avokatja Shtetërore ka lidhur uji për lëndë pa autorizimin dhe njoftimin e personave përgjegjës, e edhe për lëndë të avokatëve të tjerë shtetërorë pa i njoftuar as avokatët e as palët.

“Nuk ka bërë analiza paraprake për ujditë gjyqësore. Ka mbrojtur në Gjykatë, Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) në një rast, në të cilin Gjykata Themelore ka marrë Vendim që ka prodhuar obligime financiare për SHKK, Avokatja në fjalë nuk e ka njoftuar fare institucionin dhe lënda ka përfunduar në përmbarim”.

“Ka pranuar Vendimin për një rast në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), për të njëjtin nuk e ka njoftuar MPB-në dhe as nuk ka ushtruar ankesë, duke i krijuar MPB-së obligim financiar prej rreth 7 mijë eurosh. Nuk ka raportuar tek udhëheqësi”, tha ai.

Më tej, Sallahu tha se veprimet e tilla e minojnë dhe cenojnë interesin publik dhe janë të papranueshme, duke shtuar se pandëshkueshmëria ka qenë sëmundja më e përhapur në institucionet publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat