Chollet në Ambasadën serbe, Gjuriq: Serbia është partner i besueshëm i SHBA-së

Aktuale

Chollet në Ambasadën serbe, Gjuriq: Serbia është partner i besueshëm i SHBA-së

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 14:04
Foto nga takimi

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka vizituar Ambasadën e Serbisë në Uashington, thotë ambasadori serb atje, Marko Gjuriq.

Gjuriq njofton se zyrtarit të lartë amerikan ia ka përcjellë disa mesazhe të palës serbe. Një nga ato mesazhet, sipas ambasadorit serb, është se Serbia është partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se dëshiron që këto raporte t’i përmirësojë edhe më shumë.

“Serbia është një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara në një numër çështjesh strategjike – jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime”.

“Ne duam që bashkëpunimi të jetë edhe më i mirë në të ardhmen, dhe jemi të përkushtuar të punojmë metodikisht në këtë – këto ishin mesazhet e palës serbe që kisha kënaqësinë t’ia adresoja Shkëlqesisë së Tij, Dereck Collet, këshilltar i Departamentit të Shtetit, i cili, i shoqëruar nga kolegët e tij, vizitoi Ambasadën serbe në Serbi, afër Shtëpisë së Bardhë”, thuhet në njoftimin e Gjuriq, të publikuar në rrjetin social “X”.

Chollet është prej zyrtarëve të lartë amerikanë që angazhohet në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë. Ai komunikon herë pas here me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat