Lirohet në procedurë të rregullt avokatja Emine Bajrami-Statovci, pasi u arrestua për keqpërdorim të besimit

Aktuale

Lirohet në procedurë të rregullt avokatja Emine Bajrami-Statovci, pasi u arrestua për keqpërdorim të besimit

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 13:27
Avokatja Emine Bajrami – Statovci

Avokatja Emine Bajrami – Statovci, e cila ishte arrestuar më 4 shtator 2023, nën dyshimin për keqpërdorim të besimit, është liruar në procedurë të rregullt.

Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

Ai tha se nuk është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit ndaj Bajrami-Statovcit, pasi që Prokuroria ka siguruar të gjitha provat në të cilat ka pasur mundësi të ndikojë ajo dhe pastaj është liruar në procedurë të rregullt

“Nuk do  të bëjmë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njejtës, pasi që i kemi siguruar të gjitha provat në të cilat ka pasur mundësi të ndikojs, është liruar në procedurë të rregullt”, tha Jashari.

Sipas Policisë, Bajrami-Statovci dyshohet se në cilësinë e përfaqësueses ligjore, keqpërdori rreth 16 mijë euro në një lëndë të një aksidenti të ndodhur më 2012.

Policia të martën njoftoi se më 22 gusht 2023, rreth orës 10:00, Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj kishte pranuar një informacion nga një person se nuk ishte kompensuar nga një kompani e sigurimeve, për çështjen juridike të kompensimit të dëmit jomaterial, për aksidentin që i kishte ndodhur në vitin 2012.

“Lidhur me këtë, hetuesit rajonal nën autorizim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishin nisur hetimet dhe nga provat e grumbulluara, lënda në të cilën ishte dëmtuar ankuesi, një pjesë ishte gjykuar dhe kishte formën e plotfuqishmërisë, kurse pjesa tjetër ishte kthyer në rigjykim”, thuhej në njoftim.

Sipas Policisë, më 1 tetor 2020 kompania e sigurimeve kishte bërë transferin e parave rreth 16 mijë euro në llogari të përfaqësuesit ligjor.

Mirëpo, thuhet se ekziston dyshimi se përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, për arsye ende të panjohura nuk i ka përmbushur detyrimet ligjore, ose i kishte keqpërdorur autorizimet me qëllim që vetes, apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, apo t’i shkaktojë dëm personit që ka përfaqësuar.

“Me datën 04.09.2023, përfaqësuesi ligjor është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues, është informuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe me Aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të lëshuar nga gjykatësi i Procedurës Paraprake nga Gjykata Themelore në Ferizaj është ndaluar për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Keqpërdorim i besimit”, thuhej në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat