​Opozita i reagon Kurtit për zgjedhjet: Humorist që ka humbur fuqinë politike

Aktuale

​Opozita i reagon Kurtit për zgjedhjet: Humorist që ka humbur fuqinë politike

Më: 18 shtator 2023 Në ora: 16:42
Besnik Tahiri dhe Abelard Tahiri

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, i kanë reaguar deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me zgjedhjet, duke i thënë se ai ka nis të bëhet humorist që del në i dëshpëruar në konferenca, thuajse e gjithë bota i ka faj.

Ata pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, thanë se Kurtit i ka humbur rruga në oborr, pasi përveç izolimit, ai nuk do t’i ketë as numrat dhe as mundësinë për krijimin e qeverisë së ardhshme.

Shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri duke komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se nëse mbahen zgjedhjet, zhduket opozita, ka thënë se ai ka nis të bëhet humorist.

Tahiri: Kurit po bëhet humorist, le të del në zgjedhje nëse ia mban

“Kryeministri Kurti ka filluar të bëhet humorist, ky asnjëherë nuk ka pas kujdes për opozitën e as që mërzitet lere për opozitën por as për njerëz që kanë mendim tjetër në partinë e vet, pra ky nuk kujdeset për njerëz që i ka brenda e lere më për opozitën. Po flas për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kurrë në historinë e vet politike nuk ka qenë më e konsoliduar dhe më e qëndrueshme në politik bërje. Se kush sa e ka fuqinë politike këtë na jep populli, le të del nëse ia mban në zgjedhje dhe e sheh se çka i ndodh. Ai e di që e ka humb fuqinë elektorale, politike dhe për këtë është duke u bërë humorist”, tha ai.

Sipas tij, Qeveri ka ardhur në pushtet duke premtuar të drejtat dhe avancimin e pozitës së punëtorëve në sektorin privat dhe kjo situatë nuk ka ndodh dhe duhet të trajtohet në një seancë të jashtëzakonshme.

Deklaratat e Kurtit për zgjedhje i komentoi edhe shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, duke thënë se favori kryesor që do ta bënte sot Kurti është të jap dorëheqje dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje.

Tahiri: Kryeministri është i dëshpëruar, i ka humbur rruga në oborr

“Me vet faktin që atij në mendje i shkon opozita, kjo tregon se ai frikën e ka nga kjo opozitë dhe një gjë e ka tashmë të sigurt, që qeveri në mandatin e ardhshëm, kurdo që të mbahen zgjedhjet, qofshin ato në një afat sa më të shkurtër, apo më të largët, ai nuk do të mund ta krijojë, pra ky është mandati i fundit i tij si kryeministër, ai nuk do t’i ketë as numrat, as mundësinë që ta krijojë një qeveri të dytë dhe normalisht e kuptoj prej perspektivës të tij, ai mundohet ta qoj deri në fund mandatin e tij por ju e shihni katrahurën në të cilën është vendi, agjendën parlamentare, ju e shihni izolimin që e kemi si Republikë e Kosovës, tashmë kryeministrit Kurti kanë filluar t’i dalin pengesa edhe në Bashkimin Evropian, pra Kurti është i paaftë me nxjerr vendin nga sanksionet dhe nga izolimi të cilin e ka vendos...ju e shihni një kryeministër që del në një konferencë i dëshpëruar, në një konferencë ku tashmë i gjithë bota i ka faj, një kryeministër që tashmë i ka humbur rruga në oborr, një kryeministër i cili veç për agjendën zhvillimore të vendit të vet nuk flet“, tha ai.

Ai shtoi se në seancën e së enjtes do të shqyrtohet e kërkesës së 40 deputetëve për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore.

Tahiri: Hetimi për rezervat shtetërore ndihmon edhe prokurorinë

“Një hetim parlamentar është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe në anën tjetër do t’i ndihmoj edhe hetimit penal që po bën Prokuroria e Kosovës dhe besoj që do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë në hedhjen dritë mbi të gjitha këto keqpërdorime që kanë ndodhur me rezervat shtetërore, përfshirë vjedhjet që kanë ndodh në vaj, grurë dhe sheqer”, tha ai.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se më 21 shtator Kuvendi i Kosovës vazhdon me pikat e papërfunduara nga seanca plenare e cila hapi sesionin vjeshtor.

Kusari-Lila: Nëse i miratojmë edhe 15 ligje, dalim legjislatura me numrin më të madh të projektligjeve të miratuara në Kuvend

“Ne do bëjmë përpjekje maksimale të paktën me ligjet që e kërkojnë shumicën e thjesht për shkak se për marrëveshjet ndërkombëtare, tashmë i dini qëndrimet e dy partive opozitare. Sa i përket krahasime me legjislaturat e më hershme ka përparim, ne nëse i miratojmë edhe 15 ligje, dalim legjislatura me numrin më të madh të projektligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës, por ne nuk e kemi standard të asaj që është bërë më herët“, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat