​Berisha - pushtetit: Mendojnë se edhe rrejnë, edhe mashtrojnë dhe e marrin votën sërish

Aktuale

​Berisha - pushtetit: Mendojnë se edhe rrejnë, edhe mashtrojnë dhe e marrin votën sërish

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 13:31
Deputeti nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha

Deputeti nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha ka akuzuar Qeverinë e Kosovës sa i përket mos ekzekutimit të parave për orët shtesë ndaj Policisë së Kosovës, duke shtuar se në qeveritë e mëparshme janë paguar ato çdoherë.

Sipas Berishës, Qeveria po bojkoton seancat, pasi siç tha ai “mendojnë se edhe rrejnë, edhe mashtrojnë dhe e marrin votën sërish”.

Ai shtoi se qeveria ka “hallin” se merita për Policinë e Kosovës i mbetet opozitës, derisa shtoi se gjithë çfarë dëshiron opozita është përmirësimi i kushteve për PK-në.

“Pse pozita nuk është këtu sot, pse kryeministri e as ministri nuk u përgjigjen pyetjeve parlamentare. Pse nuk bëhet Komisioni Hetimor për rezervat shtetërore, pse bojkotohen raportimet e ministrave në komisionet parlamentare, pse nuk përkrahet Policia as edhe me një rezolutë sikur është kërkesa jonë sot, bile e bojkotojnë as në Kuvend nuk vinë. Sepse mendojnë se edhe rrejnë, edhe mashtrojnë dhe e marrin votën sërish. Në saje të një aparature propagandistike të cilën e kanë paguar gjashtë milionë euro. Sikur kjo qeveri të kishte kasavet shtetin e jo pushtetin me këto gjashtë milionë për propagandë i kish kryer gjithë nevojat e sektorit të sigurisë. Por, këta duan vetëm pushtet, nuk ju intereson askush... Asnjë votë nuk e dua, vetëm të ja ndreqim jetën policeve”, tha Berisha.

Deputeti Berisha derisa tha se e mbështesin Rezolutën e propozuar nga PDK për PK-në, tha se Qeveria duhet të paguajë orët shtesë për policët.

“Kjo situatë e Policisë do të ishte ndreq sikur do i kishim trajtuar mirë me Ligjin e Pagave. Normalisht se tash e përkrahim këtë rezolutë, po flas për rrezikshmërinë, shtesat për Policinë, orët shtesë. Shteti ka kontratë me zyrtarin e shtetit, orët shtesë janë paguar më përpara, prej që është kjo Qeveri këto shtesa janë ndalë. Rrezikshmëria është obligim i shtetit, me ligj është, duhet të paguhet. Kërkesa për sigurimin jetësor, ka shumë policë, sikur duhet edhe shumë mjete buxhetore të plotësohet kjo nevojë, nuk është për t’u zbatuar, sepse është e pamundur, mirëpo mund të bëhet një fond të posaçëm për policët që bien në detyrë, me pas një fond për t’u kujdesur për familjet e tyre. Pastaj, kemi një kategori tjetër që janë invalidët e punës në polici, ka njerëz që janë në karrocë, duhet të ketë kujdesi edhe për ta. Pensionimi i përkohshëm do të ndihmonte PK-në, por do të kishte hap mundësinë edhe për 1 mijë vende të punës për polic të rinj. Pra, 1 mijë djem e vajza të Kosovës kishin mundur të punësohen e mos të dalin jashtë. Sa i përket sigurimit shëndetësor, ne nëpër fushata të gjithë kemi premtuar, por kjo nuk është bërë ende, është marre që nuk është bërë. Këtë duhet të bëjë dikush ose duhet të shtyhemi gjithë jetën pse nuk e keni bërë ju e nuk e bëjmë as ne tash, kjo do i kishte ndihmuar policët që janë me sëmundje kronike e që janë në moshë”, tha ai.

Në seancën e sotme, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka propozuar këtë projekt-rezolutë për mbështetjen e Policisë:

1. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit prej 15 dite nga miratimi i kësaj rezolute, të bëjë ndarjen e mjeteve te nevojshme financiare për pagesën e shtesës se rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe atë, në mënyrë retroaktive nga dita e hyrjes ne fugi të Ligjit 08/L-|96 për Pagat në Sektorin Publik (për secilin muaj).

2. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që te propozoj buxhetin e nevojshëm - për vitin e ri fiskal 2024, për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policore te Republikës së Kosovës, nga data I janar 2024.

3. Obligon Qeverinë e Republikës se Kosovës që brenda afatit 60 ditor nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin he miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm te zyrtareve policore te Policisë se Kosovës de punonjësit e Inspektoratit.

4. Zotohet që shqyrtimin parlamentar të projektligjit nga pika 3 e kësaj rezolute, ta beje në procedurë të përshpejtuar ne pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat