​Tahiri për pushtetin: Është gabim t’iu votosh marrëveshjet ndërkombëtare

Aktuale

​Tahiri për pushtetin: Është gabim t’iu votosh marrëveshjet ndërkombëtare

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 14:09
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri tha se është gabim që pushtetit t’i votohen marrëveshjet ndërkombëtare. Në seancën e jashtëzakonshme për ngritjen e koeficientit të pagave, ai shtoi se angazhimi më i madh duhet të jetë që vendi të shkojë në zgjedhje.

Gjatë këtij debati parlamentar, Tahiri tha se lëshimi i sallës nga Lëvizja Vetëvendosje është ikje nga përgjegjësia.

“Ne tregojmë mirëkuptim, ju ofrojmë bashkëpunim dhe vjen një moment që këta veç ikin, e lëshojnë seancën. Është marre, turp i madh, sepse sot në fund të ditës e kemi thirr një seancë për të diskutuar një prej ligjeve, një prej çështjeve më të rëndësishme në këtë vend, që i prek rreth 100 mijë shërbyes civilë e struktura të ndryshme që paguhen nga shteti i Kosovës. Të ikësh prej kësaj seance, është të ikësh prej një përgjegjësie goxha të madhe. Unë prapë e kam një mesazh për opozitën. A po e shihni që nuk mundemi të bashkëpunojmë me ta? Është e kotë edhe t’ju votosh marrëveshjet ndërkombëtare këtyre, gjithçka është e kotë, sepse nuk arrin të gjesh një gjuhë të përbashkët me të cilën arrijmë të gjejmë një gjuhë të përbashkët, me të cilën do të mundemi të shtyjmë një proces përpara”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij, vendit i nevojitet një qeveri e re, e cila e nxjerr Kosovën nga sanksionet.

“Ne angazhimin e madh duhet ta kemi gjithë së bashku, sa më parë, çdo mundësi t’ju bllokosh edhe që ta dërgojmë vendin në zgjedhje. Vendit i duhet një qeveri e re, vendit i duhet një qeveri, e cila e nxjerr prej sanksioneve. Vendit i duhet një mazhorancë, e cila nuk e lëshon seancën. Po flasim për çështje më të rëndësishme. Këqyrni nuk janë, e lëshojnë seancën! E lëshuan seancën për polici, kemi për ta thirrur për Trepçën javën e ardhshme, prapë këtu nuk do t’i keni. Si mund të bashkëpunojmë me këta njerëz, është e pamundur, sepse nuk duan e as nuk dinë. Është gabim t’iu votosh këtyre marrëveshjet ndërkombëtare”, shtoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat