Kurti: Do të inkurajojmë aktivizimin në tregun e punë të personave me aftësi të kufizuar

Aktuale

Kurti: Do të inkurajojmë aktivizimin në tregun e punë të personave me aftësi të kufizuar

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 12:16
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë lansuar platformën për regjistrimin e organizatave joqeveritare dhe bizneseve si ndërmarrje sociale.

Kjo politikë qeveritare u tha se do të inkurajojë aktivizimin në tregun e punës të personave me aftësi të kufizuar dhe grupeve të tjera të cenueshme. Si kusht për marrjen e statusit ndërmarrje sociale është nëse OJQ-të apo bizneset e kanë aktivitetin të strukturuar për ofrimin e shërbimeve për grupet e cenueshme apo kanë të punësuar së paku 30 për qind të stafit nga të njëjtat grupe.

Kryeministri Albin Kurti, tha se këto politika qeveritare do të sigurojnë që shteti do të ofrojë mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.

Kurti: Ndërmarrjet sociale do të inkurajojnë aktivizimin në tregun e punës të personave nga grupet e cenueshme

“Për herë të parë në Kosovë, qeveria jonë ofron mundësinë që organizatat joqeveritare dhe bizneset të regjistrohen dhe të marrin statusin e ndërmarrjeve sociale. Pra në vendin tonë kemi ndërmarrje publike, private por edhe sociale. Kornizën ligjore e cila ka qenë ekzistuese më në fund po e zbatojmë ashtu që të adresojmë nevojat e grupeve të cenueshme të shoqërisë përmes zhvillimit të sektorit të ndërmarrësisë sociale. Lehtësirat që do t’i ofrojmë ndërmarrjeve sociale në njërën anë e inkurajojnë aktivizimin në tregun e punës të personave nga grupet e cenueshme, ndërkaq në anën tjetër sigurojnë rishpërndarjen e të hyrave për t’iu shërbyer pikërisht këtyre grupeve. Edhe të rritet punësimi, por njëkohësisht edhe mirëqenia. Punësimi në fillim përmes inkuadrimit, ndërkaq mirëqenia në fund përmes rishpërndarjes së fitimit”, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, e konsideroi si shumë të rëndësishme këtë platformë për t’i ndihmuar grupet e cenueshme në vend.

Murati: Ndërmarrjet sociale përdorin fondin e tyre për të avancuar misionin shoqëror

“Ndryshe nga bizneset tradicionale ndërmarrjet sociale përdorin fondin e tyre për të avancuar misionin shoqëror që kanë për qëllim maksimizimin e fitimit, dhe në përkrahje të tij ato pranojnë edhe lehtësira gjatë operimit të tyre. Për t’u kualifikuar për regjistrim si ndërmarrje sociale ju mund të jeni biznese apo organizata joqeveritare që ofroni shërbime të ndryshme për grupet e cenueshme, përfshirë shërbime shëndetësore, rezidenciale, psikosociale dhe të aftësimit profesional”, tha Murati.

Takimi i Kurtit dhe Muratit me OJQ-të dhe bizneset ishte i hapur vetëm në fjalimet e qeveritareve, ndërkaq, në momentin kur morën fjalën përfaqësuesit e tjerë mediat u larguan nga salla e diskutimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat