Deputeti i LVV-së tregon pse dështoi sot mbledhja e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore

Aktuale

Deputeti i LVV-së tregon pse dështoi sot mbledhja e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 23:57
Halil Thaçi

Në mungesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, sot ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Se pse ndodhi kjo, dha detaje deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi.

Thaçi bën të ditur se anëtarët e LVV-së, pjesë e Komisionit hetimor për keqpërdorim të rezervave shtetërore janë vonuar 20 minuta, pasi ishin në një mbledhje tjetër, në atë të Komisionit për Ekonomi.

Sipas tij, me këtë rast, opozita “bëri filma” dhe nuk i priti.

“Një Komision kishte mbledhjen e tij ku ishte e ftuar ministrja Rozeta Hajdari dhe në atë Komision janë tre anëtarë nga opozita që janë anëtarë në Komisionin Hetimor, ku bëj pjesë edhe unë. Dhe dy anëtarë të Komisionit për Ekonomi janë anëtarë të LVV-së, që bëjnë pjesë edhe në Komisionin tonë hetimor. Dhe sigurisht atyre u duhet kuorumi të rrijnë në mbledhje dhe t’i votojnë disa ligje për Ministrinë e MINT-it dhe për këtë arsye ne u vonuam paksa. Ishin 20 minuta kohë që u vonuam dhe më shumë nuk na priti edhe opozita, dhe e përfundoi në mënyrën siç ata dijnë të bëjnë, unë them filma”, deklaroi ai.

Deputeti i LVV-së shtoi se kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, që është pjesë edhe e Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore, “e dinte që në rend dite kishin disa votime që u humbte kuorumi nëse ata largoheshin saktë në orarin e Komisionit hetimor”.

Në shtator të këtij viti, Kuvendi i Kosovës me 69 vota pro themeloi Komisionin hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe dyshimet për keqpërdorime dhe abuzime të mundshme me rezervat shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat