Kuçi: Kurti do të mbahet mend për rritje të urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve

Aktuale

Kuçi: Kurti do të mbahet mend për rritje të urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 18:22
Natyra Kuçi

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, do të mbahet mend për rritje të urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve.

Madje, Kuçi vlerësoi që tensionet e vazhdueshme në veri, Kurti i ka shfrytëzuar për poena të vet politik.

“Në momentin që ka një mllef të akumuluar mes shqiptarëve e serbëve për shkak se e kemi një status quo në dialog me ta, kur ky vend e ka këtë mllef, Kurti e merr dhe e përdor për poena të vet politikë, e që është shfrytëzuar për të bërë tensione. Krejt çka ka bërë Kurti, e që do të mbahet në mend për këtë mandat, është rritja e urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve. Po ashtu, edhe një përçarje e madhe e shoqërisë, polarizim kush është me Kurtin dhe kush është me Serbinë”, deklaroi Kuçi.

Ndërsa, sa i përket vendimit të Qeverisë për ndarjen e shtesave prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, për muajin dhjetor, Kuçi i quajti “lëmosha” të Kurtit.

“Kurti prej se ka marrë pushtetin, njihet për lëmosha të kohë pas kohshme që u jep kategorive të ndryshme të kësaj shoqërie. Pensionistët në Kosovë, kanë nevojë për rregullim të sistemit të pensioneve, nuk kanë nevojë për lëmoshë”, potencoi tutje Kuçi.

Më tej, zëdhënësja e PSD-së, tha se problemi kryesor i Qeverisë aktuale, është mos shpenzimi i buxhetit që e ka.

“Edhe aty ku mundet t’i ngritë pagat, nuk e bën për shkak të frikës që do të ketë kërkesa edhe nga sektorë të tjerë”, theksoi ajo.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës i ka ndarë nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këto kategori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat