40 milionë euro për FSK-në/ Berisha: Po të ishte Kurti i përgjegjshëm do të ndante 1 miliard, jemi mbrapa

Aktuale

40 milionë euro për FSK-në/ Berisha: Po të ishte Kurti i përgjegjshëm do të ndante 1 miliard, jemi mbrapa

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 09:59
Bekë Berisha

Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kështu duke arritur vlerën mbi 200 milionë euro.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë që është hera e parë në histori të ushtrisë së Kosovës që ndahet një shumë kaq e madhe.

Por një ndarje të tillë, po kritikohet nga deputeti i AAK-së, njëherit kryetar i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha.

Ai në një përgjigje ka thënë se Kurti po të ishte i përgjegjshëm do t’i ndante 1 miliard euro.

Sipas Berishës, Kosova është mbrapa me rezervat ushtarake.

“Sikur Kurti të ishte i përgjegjshëm do të ndante 1 miliard për FSK dhe sektorin e sigurisë sepse bota është e trazuar dhe ne jemi koxha mbrapa me planin për rezervën ushtarake rekrutimin dhe trajnimin e certifikimin e ushtarëve”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka shumë kritika për qeverisjen Kurti.

Ai ka thënë që problem janë edhe gabimet politike, që sipas tij po bën Qeveria Kurti.

“Është edhe një problem tjetër për sigurinë nuk janë vetëm mjetet apo buxheti. Është koha e humbur. Problem tjetër është gabimet politike të kësaj Qeverie, humbja e hapit. Nuk dua të mendoj se Kosova në zhvillimet e së ardhmes të llogaritet si dëm kolateral në hartën gjeostrategjike”, u shpreh ai.

Berisha thotë se Kosova po udhëhiqet nga populist e të padijshëm, për këtë arsye sipas tij vendi është nën sanksione.

“Kosova sot është pa miq pa përkrahje, nën sanksione të vendosura nga miqtë tonë, të udhëhequr nga të padijshmit dhe populistët”, u shpreh ai.

 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria është e përkushtuar pë anëtarësimin në NATO.

Arritja e këtij niveli për herë të parë në historinë e re të ushtrisë sonë, tregon se si Qeveri jemi të përkushtuar drejt arritjes së synimit tonë të përbashkët për t’u bërë shtet anëtar në Partneritetin për Paqe, drejt anëtarësimit në NATO. Pra, jemi qeveri e të gjithëve, për të gjithë”, tha Kurti në fillim të mbledhjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat