Gërvalla: Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur

Aktuale

Gërvalla: Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur

Më: 4 janar 2024 Në ora: 10:21
David Cameron dhe Donika Gërvalla

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm kur ka pasur qëndrim të qartë dhe kur ka vepruar me vendosmëri.

Në një konferencë për media pas takimit me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Gërvalla ka thënë se ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit.

“Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, ka thënë Gërvalla gjatë konferencës me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron.

Gërvalla e ka falënderuar Cameronin për mbështetjen e vazhdueshme që Britania po i jep Kosovës në fusha të ndryshme.

“Është kënaqësi e veçantë ta kemi në Kosovë ministrin e Jashtëm të Britanisë. Pas një kohe goxha të gjatë, është vizita e parë e një ministri të Jashtëm britanik në Kosovë. Gjatë bisedës, folëm rreth zhvillimit të jashtëzakonshëm të Kosovës në fusha të ndryshme, sidomos në sundimin e ligjit dhe demokracisë. E falënderova për mbështetjen që Britania i ka dhënë Kosovës para dhe pas luftës dhe rolin e Britanisë në ndalen e gjenocidit të Serbisë në vitet ’90. Kosova do të jetë përjetë mirënjohëse. E falënderova për dërgimin e trupave shtesë pas sulmit të Kosovës nga Serbia më 24 shtator”, ka shtuar Gërvalla.

Ministrja e Jashtme ka thënë se e sheh Britaninë si aleate shumë të rëndësishme në NATO, “aty ku Kosova synon të anëtarësohet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat