Paraqitja e Ibrahim Rugovës para gazetarëve gjatë masakrës mbi familjen Jashari në Prekaz

Aktuale

Paraqitja e Ibrahim Rugovës para gazetarëve gjatë masakrës mbi familjen Jashari në Prekaz

Më: 24 janar 2024 Në ora: 23:15
Ibrahim Rugova

Më 21 janar u bënë plot 18 vjet nga vdekja e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në rikujtim të tij në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” i është kushtuar një episod i veçantë jetës dhe veprës së tij.

Ndër tjera është publikuar edhe konferenca për shtyp e Rugovës ku ai kishte dënuar ashpër sulmet e forcave serbe me pasoja të përgjakshme mbi regjionin e Drenicës, duke njoftuar edhe për masakrën në Prekaz.

Ai gjithashtu atë kohë dëgjohet t’i kishte bërë thirrje përsëri Bashkësisë Ndërkombëtare që të marrin masa preventive në Kosovë, ndërsa kishte paralajmëruar që po atë ditë do t’i bënin thirrje edhe Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Evropian që të marrin hapa të shpejt preventiv në Kosovë.

“Ataku i djeshëm i forcave policore ushtarake serbe në Drenicë mbi popullatën civile solli edhe rreth 20 viktima të reja. Sot kemi informata se vazhdon sulmi në fshatin Prekaz. Kjo është masakra e dytë gjatë javës mbi popullsinë e Drenicës dhe të Kosovës. Siç e dini në këto masakra u vranë shumë shqiptarë të pafajshëm. Këto sulme mbi regjionin e Drenicës janë pjesë e programeve për spastrimin etnik të Kosovës. Dënojmë ashpër atakun e djeshëm me pasoja të përgjakshme. Kërkojmë ndërprerjen urgjente të këtyre sulmeve të vdekjes”, dëgjohet të ketë thënë Rugova.

Gjithashtu, ai kishte përsëritur apelin e tyre ndaj presidentit Clinton, kryeministrit britanik Tony Blair, presidentit Shirak që të bëjnë krejt çka është e mundur që ta shpëtojnë popullin e Kosovës.

Në të njëjtën konferencë, ai përshëndet të gjitha reagimet e Bashkësisë Ndërkombëtare që kishin dënuar masakrat në Drenicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat