Prokuroria kërkon dënimin e gjashtë të akuzuarve për pastrim parash e shmangie nga tatimi

Aktuale

Prokuroria kërkon dënimin e gjashtë të akuzuarve për pastrim parash e shmangie nga tatimi

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 09:54
Foto ilustrim

Me dhënien e fjalës përfundimtare nga Prokuroria dhe mbrojtja, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka përfunduar gjykimi ndaj Muharrem dhe Ramadan Mavraj, Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, të cilët po akuzohen për pastrim parash dhe shmangie nga tatimi.

Prokurori special Atdhe Dema, në fjalën e tij përfundimtare kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit me dënim maksimal, ndërsa mbrojtja e tyre kanë kërkuar që ata të lirohen me arsyetimin se nuk ka prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas prokurorit Dema, pas nxjerrës së provave në shqyrtim gjyqësor në tërësi është vërtetuar aktakuza si përkitazi me fajësinë e të akuzuarve e po ashtu edhe lidhur me përgjegjësinë e tyre.

Po ashtu ai tha se nga provat e nxjerra është vërtetuar në mënyrë të plotë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të përshkruar si në aktakuzë duke e vërtetuar në tërësi edhe vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, e që sipas tij të njëjtit i kanë kryer me dashje.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor jo vetëm se nuk u arrit të dëshmohet e kundërta e asaj që është thënë në akuzë por se në tërësi u vërtetua se veprimet e tyre të kundërligjshme nga të gjitha provat e prezantuara e të dëgjuara të administruara e në shqyrtim gjyqësor si raporti i ATK-së, Forenzikës, faturat tatimore, transaksionet bankare, urdhër pagesat, deklaratat e dëshmitarëve, ekspertiza e ekspertit financiar të angazhuar nga prokuroria, si dhe deklarimi i vet të akuzuarve dhe mosdeklarimi i tyre vërtetohet se të njëjtit krejt këto veprime i kryen me dashje”, tha prokurori Dema.

Sipas tij, vlera e pronave të blera nga i akuzuari Ramadan Mavraj gjatë periudhës 2011-2014 ka vlerën prej mbi 4 milionë euro, ndërsa vlera e pronave të blera nga i akuzuari Muharrem Mavraj është mbi 2 milionë.

“Kjo prokurori të njëjtit i akuzon për pastrim të parave në vlerë prej 3.4 milionë euro, dyshimi fillestar ka qenë 95 milionë, pastaj vijmë gjatë hetimeve në 53 milionë, pastaj vijmë në 35 milionë, e pastaj pas hetimeve intensive të prokurorisë prej 2 vite e gjysmë arrijmë tek shuma e pambuluar, pa orgjinë pa burim e cila kap vlerën prej 3 milionë 400 mijë euro”, tha tutje Dema.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Mavraj, avokati Sylejman Nuredini në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se në bazë të provave të administruara e të shqyrtuara në seanca gjyqësore nuk është vërtetuar në asnjë pikë teza e aktakuzës.

Sipas tij, jo vetëm me ekspertizën e ekspertit Naser Prapashtica por edhe grupit të ekspertëve në mënyrë të sigurt është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka blerë prona në mënyrë të ligjshme dhe të sigurt e me kontrata të vërtetuara.

“Nuk ka asnjë cent që nuk i dihet origjina, apo siç thotë dispozita ligjore që burojnë nga aktiviteti kriminal apo që janë krijuar me vepër penale, në asnjë moment, në asnjë element nuk vërtetohet teza e aktakuzës se janë fituar këto prona me aktivitet kriminal”, tha avokati Nuredini.

Ai ka kërkuar nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij të merret aktgjykim lirues.

Ndërsa, i akuzuari Ramadan Mavraj në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se për tu dukur më shumë prona në aktakuzë, prokuroria ka futur edhe pronat të cilat janë blerë në vitin 2008 dhe vitin 2009.

“Siç është prona e parë që është blere në vlerë prej 200 mijë, të njëjtën pronë e ka shti edhe te kontratat dhuratë në vlere prej 680 mijë euro, tu u munu me e rrit atë vlerën 3.4 milionë, por prapë edhe me këtë 680 mijë euro nuk bëjnë 3.4 milionë”, tha i akuzuari Mavraj.

Sipas tij, kontratat dhuratë janë bërë në vitin 2016 ndërsa hetimet për këtë lëndë kanë filluar në vitin 2017.

“Kontratat dhuratë i ka sqaru edhe super-ekspertiza, kontratat dhuratë kanë ndodh për shkak se unë e Muharremi si biznes familjar e kemi nënshkru një raport të ndarjes edhe për me i kalu pronat e mija tek Muharremi, e Muharremi tek unë u kon mundësia ma e lehtë me arrit me kontratë dhuratë”, tha ai.

Ai ka thënë se asnjë vlerë në tabelat e aktakuzës nuk është e saktë, për faktin se sipas tij aktakuza bënë fjalë për vitet 2010-2017 ndërsa disa nga tableta janë të periudhës 2010-2015 e disa 2009-2015.

Mbrojtësi i të akuzuarit Muharrem Mavraj, avokati Taulant Rracaj në fjalën e tij përfundimtare ka elaboruar dy çështje që sipas tij janë kruciale mbi të cilat themelohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Çështja e parë, ai tha se është veprimtaria e përshkuar në dispozitiv të aktakuzës e që sipas tij nuk e provon kualifikimin juridik të veprës penale të shpëlarjes së parasë si rezultat i mungesës përmbajtjesore të elementeve që e sajon figurën e veprës penale.

Ndërsa, çështja e dytë sipas Rracaj është mungesa e provave të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij ka kryer vepër penale.

“Asnjë provë të vetme që e ka propozu nuk i vërteton tezat e aktakuzës, bile bile paradoksalisht me vetë provat që i ka prezantu prokurori është konfirmu pafajësia, qe pse, janë propozu me u dëgju dhjetë dëshmitarë, prej dhjetë dëshmitarëve që pre supozohet që ish dashtë me kanë dëshmitarë armiqësor që i vërtetohen tezat e aktakuzës, asnjëri nuk flet për burimin e jashtëligjshëm të këtyre mjeteve”, tha Rracaj.

I akuzuari Flamur Mavraj në fjalën e tij përfundimtare ka thënë prokurori i shtetit edhe për kundër faktit se e ka sjellë në gjykatë nuk ka vërtetuar as edhe për një euro që është e vjedhur ose pa origjinë.

“Fjala ime e parë në këtë gjykatore ka qenë që unë besoj në Zot dhe në drejtësi, edhe vazhdoj ta kem këtë sa të jem gjallë…vetëm këtë zhig e kam se prokuroi i shtetit edhe pse m’ka pru këtu si hajn, si hajdut nuk ma vërtetojnë një euro që e kom vjedh shtetin a e kom plaçkit dikon”, tha i akuzuari Flamur Mavraj.

Sipas tij, është e dhimbshme për shtetin falimentimi i një biznesi si i tij.

“Është gjynah për këtë shtet me falimentu një biznes të tillë, shpirti pom dhem, zemra pom dhem, 1 mijë vjet ami po është për gjynah i madh këtij vendi çka po i ndodh”, ka thënë ai.

Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit Xhelal Kastrati, avokatja Hedije Ademi gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare ka thënë se i mbrojturi i tij është i pafajshëm ngase me asnjë provë dhe në asnjë mënyrë nuk ka rënë ndesh me dispozitat e Kodit Penal.

“Pra, nuk ka ndërmarr asnjë veprim të cilësdo natyrë që kishte me u cilësu si vepër penale e sidomos kur bëhet fjalë për një veprim të huadhënie i cili veprim është vërtetuar edhe me ekspertizën financiare të cilën e kanë bërë ekspertët financiar”, tha ajo.

Sipas tij, PSRK nuk ka asnjë provë apo fakt të cilën e mbështet aktakuzën e ngritur kundër të mbrojturit të saj.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Valdet Muriqi, avokati Sali Mekaj, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare ka thënë se kjo aktakuzë nuk është dashur që ta kaloj as fazën e konfirmimit të saj në shqyrtimin fillestar për shkak të defekteve që ka.

Avokati Mekaj ka thënë se me ngritjen e kësaj aktakuze është dëmtuar interesi publik dhe interesi i të bërit biznes.

“Unë mendoj se është detyrë e prokurorit që të ngrit aktakuzë atëherë kur vihet në rrezik interesi publik përmes veprimeve kundër individëve të caktuar, ndërkaq me ngritjen kësaj aktakuze ka ndodhur e kundërta, është dëmtu interesi publik, është dëmtu interesi i të bërit biznes, është cenuar liria e të bërit biznes për një kompani dhe për disa individ të cilët me asnjë veprim të kundërligjshëm nuk kanë kontribuar që sot të jenë në bankën e të akuzuarve”, tha Mekaj.

Ai ka thënë se të gjitha të hyrat që janë realizuar kanë burim të ligjshëm.

“Janë të hyra që kanë ardhur nga Thesari i shtetit përmes tenderëve që kanë kryer, janë të hyra që kanë ardhur nga shitja e patundshmërive, janë të hyra që kanë ardhur nga shpronësimet dhe këto të gjitha janë të ligjshme”, tha avokati Mekaj.

Në vazhdim fjalën përfundimtare e ka elaboruar mbrojtësi i të akuzuarit Flamur Mavraj, avokati Visar Vehapi i cili deklaroi se fjala përfundimtare e prokurorit special është rilexim i fjalës hyrëse ndërsa fjala hyrëse e prokurorit ka qenë lexim i aktakuzës.

“Narracioni i krejt fjalës përfundimtare ishte besoni aktakuzës, besomni mua, besoni aktakuzës por nuk gjetëm prova konkrete cilës provë duhet t’ia fal besimin ky trup gjykues në mënyrë që t’i beson edhe aktakuzës”, tha Vehapi.

Hetimet e prokurorisë për këtë rast sipas avokatit Vehapi nuk kanë qenë serioze, sepse hetimet kishin filluar për 90 milionë euro e kishin përfunduar në 3 milionë euro.

“Nga këndvështrimi i mbrojtjes kjo tregoj për jo seriozitetin e hetimeve sepse hetimi ishte në rënie të lirë, rënia e lirë sipas ligjeve të fizikes është 6 metra në sekond, pra nga 90 milionë erdh prokuroria në 3 milionë e diçka euro, pra nuk mbeti as aty, nuk mbeti nga kjo ramje e lirë aktakuza e vjerrur për një degë të një lisi, por u përplas për tokë, kush e përplasi për tokë këtë aktakuzë, super-ekspertiza e caktuar nga gjykata”, tha avokati Vehapi.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Rexhë Kastrati, avokati Florent Latifaj, në fjalën përfundimtare i ka propozuar gjykatës që në mungesë të provave i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Sipas tij, në asnjë moment nuk është provuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

“Nëse e shihni përshkrimin faktik të dispozitivit të dytë ku Rexhë Kastrati akuzohet për shpëlarje të parave përpos që përmendet emri i tij në rreshtin e parë askund tjetër nuk mund ta shihni se i kanë dhënë, ka marrë, ka kthy, dhanë, ka tërheqë Rexhë Kastrati ndonjë shumë”, tha Latifaj.

Po ashtu, sipas tij as nga ekspertizat nuk është vërtetuar se kemi të bëjmë me ndonjë shpëlarje të parave për asnjë nga të akuzuarit.

“Në asnjë moment nuk kanë mujt me vërtetu se kemi të bëjmë me ndonjë shpërlaje të parave të kujtdo këtu e leje mo për Rexhë Kastratin që nuk ka përshkrim faktik se çka ka bo, sinqerisht nuk po di as si me mbrojt”, tha ai.

I njëjti tha se në mungesë të tërësishme të provave dhe të përshkrimit faktik të veprimeve individuale të personit nuk mund me pas aktakuzë.

Aktakuza në këtë rast ishte ngritur më 21 gusht 2019, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e cila Ramadan, Muharrem , Flamur Mavrajn, Xhelal Krasniqi, Valdet Muriqin dhe Rexhë Kastrati i ngrakon me veprën penale “Shpërlarje parash”, dhe po ashtu PSRK të akuzuarit Ramadan dhe Muharrem Mavrajn i ngarkon edhe për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat