OEA me kritika për rritjen ekonomike: Të largohen barrierat tregtare

Aktuale

OEA me kritika për rritjen ekonomike: Të largohen barrierat tregtare

Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 10:57
Foto ilustrim

Oda Ekonomike Amerikane ka vlerësuar se Kosova nuk po bën efekt të dukshëm për sa i përket rritjes së qëndrueshmërisë ekonomike. Sipas qëndrimit të dërguar për media, OEA kanë theksuar se mungesa e një qasje proaktive në promovimin e mundësive për tërheqje të investimeve janë ndër faktorët që pamundësojnë transformimin rrënjësor ekonomik të Kosovës.

“Oda Amerikane beson fuqishëm që Kosova duhet të lirohet sa më shpejtë që është e mundur nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit. Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave i cili përmend Kosovën si njërën nga dhjetë vendet me rrezik për konflikt vdekjeprurës ose eskalim gjatë vitit 2024, rëndon më tej perceptimin negativ mbi Kosovën, e që pamundëson tërheqjen e investimeve cilësore të huaja. Institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë rëndësinë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, si thirrje e vazhdueshme edhe e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në qëndrimin e OEA-së.

Tutje institucioni amerikan ka përgëzuar dy shtetet për njohjen e targave, duke rekomanduar edhe largimin e barrierave tregtare për të çuar në zhvillim ekonomik.

“Oda Amerikane përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të largojë masat aktuale të cilat ndalojnë hyrjen e produkteve finale nga Serbia, të cilat kryesisht godasin interesat komerciale të shteteve partnere të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Largimi i barrierave tregtare do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investitorët e huaj, meqë ata konsiderojnë mundësitë të cilat u ofrohen nga qasja në tregje më të mëdha dhe përfitimi nga ekonomitë e shkallës në prodhim dhe distribuim”, vazhdon njoftimi.

Oda Amerikane gjithashtu ka kërkuar që të gjitha veprimet pas implementimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, të bëhen në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë kërkesën për shtyerjen e dispozitave, ashtu siç thuhet, me qëllim të lejimit të përgatitjeve të nevojshme për zbatim dhe eliminimit të pasojave të mundshme negative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat