E ekzekutuan dhe e detyruan një 15 vjeçar ta barte në shpinë – krimet gjatë luftës të Dushko Arsiq që u dënua sot

Aktuale

E ekzekutuan dhe e detyruan një 15 vjeçar ta barte në shpinë – krimet gjatë luftës të Dushko Arsiq që u dënua sot

Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 13:42
Dushko Arsiq

Gjykata Themelore në Prishtinë sot shpalli fajtor Dushko Arsiqin për krime lufte kundër popullatës civile dhe e dënoi me burgim me 13 vjet.

Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 08.12.2021 deri në plotëfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Po ashtu, Arsiq obligohet që t’i paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës penale.

Gjykata ka dhënë edhe detajet e krimit të kryer nga Arsiq në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë.

“D.A është akuzuar se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe dhe grupe paramilitare, të përbërë nga shumica të nacionalitetit serb, në periudhën e luftës në Kosovë, konkretisht prej muajit Janar-Qershor të vitit 1999, fillimisht kishte marr pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, pastaj kishin filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ja kishin vënë zjarrin, po ashtu kishin marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, e disa nga ta i kishin plagosur dhe vrarë. I akuzuari D.A po ashtu kishte marrë pjesë në ekzekutimin e viktimës, tani të ndjerit B.SH, ashtu që me datë 20.04.1999, në fshatin Butovc, Komuna e Prishtinës në vendin e quajtur “Varrezat e Maqedoncve” deri sa viktima kishte qenë duke ecur, e kishin gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kishin goditur, atëherë e kishin urdhëruar të dëmtuarin A.K, në atë kohë 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.SH ta mbajë në shpinë, edhe pse i dëmtuari kishte pasur lëndime të konsiderueshmë fizike, pasi që paraprakisht i pandehuri D.A e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokoleve shtesë”, thuhet në komunikatë.

I dëmtuari A.K udhëzohet në kontest të rregullt civil, lidhur me kërkesën pasurore juridike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat