​Pensionistët serbë paralajmërojnë protestë për dinarin në Mitrovicë

Aktuale

​Pensionistët serbë paralajmërojnë protestë për dinarin në Mitrovicë

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 21:07
Ilustrim

Shoqata e bashkuar e pensionistëve serbë ka paralajmëruar protestë për ditën e hënë, më 12 shkurt, në orën 12:00 në Mitrovicën Veriore, në shenjë pakënaqësie mbi heqjen e dinarit dhe përdorimin e euros si valutë e vetme për pagesa nga data 1 shkurt.

Protesta thuhet se do të jetë paqësore dhe se ajo është mbështetur edhe nga Lista Serbe.

Ndryshe, nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme e vlefshme për pagesa dhe transaksione, gjë e cila po kundërshtohet nga Serbia.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq janë përplasur ashpër sa i përket vendimit për dinarin në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kurti ka thënë se dinari serb nuk është ndaluar në Kosovë, por euroja është valuta e vetme për pagesa, teksa shtoi se do të ketë informim shtesë për komunitetin serb dhe se këtë do ta bëjë në gjuhën serbe.

“Do të bëj më shumë komunikim, më shumë informim për serbët në ditët vijuese përgjatë gjithë muajit. Do të flas në gjuhën serbe që të më kuptojnë më mirë e më qartë, sepse ne që kemi qenë nën okupimin e Serbisë e dimë gjuhën serbe, por ata nuk e kanë mësuar gjuhën tonë”, ka thënë ai.

Për më tepër, kryeministri Kurti ia bëri me dije Beogradit zyrtar se nuk mund të lejohet që të financojë pa fund grupet e veta kriminale.

“Ky është burimi i vërtetë i histerisë së Serbisë për rregulloren e BKQ-së. Beogradi ka lëshuar alarmin jo vetëm për shkak të shkëmbimit të dinarit në euro, por pse ne po ndalojmë thasë me para në kufi. Ata ankohen jo për shkak të brengës së qytetarëve serbë të Kosovës... Rregullorja as nuk e ndalon e as nuk e pengon Qeverinë e Serbisë nga ofrimi i ndihmës financiare për serbët e Kosovës. Çdo gjë tjetër është propagandë,” tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat