Dëshmitari i masakrës së Staradranit: Çdo 5 minuta ekzekutohej nga një person

Aktuale

Dëshmitari i masakrës së Staradranit: Çdo 5 minuta ekzekutohej nga një person

Më: 6 mars 2024 Në ora: 18:53
Naim Elshani

I mbijetuari i masakrës së Staradranit, Naim Elshani, tha se në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Ekrem Bajroviq, beson në drejtësinë dhe gjyqësinë e Kosovës.

Sa i përket Bajroviqit të akuzuar për krime lufte, Elshani tha se në shumë raste e ka parë të armatosur.

“Unë besoj në drejtësi, besoj në gjyqësinë e Kosovës, unë kam dëshmuar që atë e kam parë në vendin e ngjarjes dhe sot u vërtetua. Unë kam shitur cigare, me të s’kam pasur raporte as të mira e as  të këqija. Ka dëshmitar që Bajroviqi i ka rrahur nga vitit 1991 deri 1999. Nga Bajroviqi s’jam rrahur, sepse nuk më është lejuar të shikoj, pasi kam qenë i mbështetur për muri, mua më kanë rrahur diku 4/5 persona. Mirëpo, atë e kam parë të armatosur në dy tri raste, po ashtu e kam parë kur e ka lëshuar kushëririn tim, Ahmet Elshanin. Ne u jemi bashkëngjitur popullatës civile, pasi që u verifikua që jemi civilë të paarmatosur, kanë filluar rrugën për ikë për Shqipëri, në qendër të fshatit ndalet çdo traktor, secili që e kishte mbiemrin Elshani, e ndalonin aty. Ne kemi qenë të dirigjuar përmes telefonit”, deklaroi Elshani në teve1.

Ndërkaq, për ditën kritike të masakrës, Elshani tha se çdo 5 deri në 10 minuta, bëheshin ekzekutime të njerëzve, madje në mënyra të ndryshme.

“Së pari ka qenë rrahja, aty ka qenë një mulli i misrit, një nga ne futej në mulli. Unë e kam parë edhe një person kur e kanë gjuajtur në zjarr, ajo skenë ka qenë e tmerrshme. Çdo 5 deri në 10 minuta, bënin ekzekutime”, potencoi tutje Elshani.

Kujtojmë se Prokuroria e ngarkon Bajroviqin për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999, kundër popullsisë civile në Komunën e Istogut dhe fshatrave përreth.

Bajroviq akuzohet se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat