8 Marsi, Konjufca: Sferës publike i duhet gruaja, sepse pa gruan ajo nuk mund të jetë e mirëfilltë

Aktuale

8 Marsi, Konjufca: Sferës publike i duhet gruaja, sepse pa gruan ajo nuk mund të jetë e mirëfilltë

Më: 8 mars 2024 Në ora: 10:46
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Dita e Gruas, vijon ta zgjojë ndërgjegjen e gjithsecilit për të ecur në rrugën drejt barazisë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se gruas i duhet sfera publike, por sferës publike i duhet gruaja edhe më shumë, sepse pa gruan ajo nuk mund të jetë e mirëfilltë.

Lexoni më poshtë postimin e plotë:

Dita e Gruas, e shënuar më 8 Mars vijon ta zgjojë ndërgjegjen e gjithsecilit për të ecur në rrugën drejt barazisë.

Vazhdimisht jemi angazhuar për të marrë masa në drejtim të luftimit të pabarazisë gjinore. Arritjet janë të numërueshme, siç është tepër evidente se edhe më shumë mbetet për t’u bërë. Më shqetësuesja nga të gjitha ngelet dhuna në familje që, pavarësisht masave ligjore dhe institucionale, vazhdon të jetë e lartë.

Pabarazia gjinore shpërfaqet në sferën shoqërore, politike dhe ekonomike, e mirëmbajtur edhe nga gjuha që e normalizon atë. Sa më shumë e reflektojmë dhe e shprehim në kritikë kur e evidentojmë këtë pabarazi, aq më shumë zgjerohet mundësia e emancipimit, si përparim diskursi shoqëror dhe kornize ligjore, si kapërcim në ndërveprimin socio-kulturor dhe ushtrimin institucional.

Ta ruajmë në vëmendje se kur themi grua, aty për aty kemi prekur gjysmën e popullsisë së një vendi, por edhe të gjithë botës. Në këtë kuptim, përveç se e drejtë, ngritja e pozitës së gruas është diçka prej të cilës fitojnë të gjithë, sepse angazhimi i plotë i shoqërisë përbën një rendiment maksimal të gjithanshëm. Ndërsa pabarazia, si padrejtësi, është edhe kundërshoqërore, kundërpolitike dhe kundërekonomike.

Në shoqërinë tonë ne kemi edhe figurën e gruas luftëtare, figurë e tejkalimit të paracaktimit, që angazhon aftësitë në shërbim të lirisë së përbashkët. Kjo na nderon, por dhe na shërben si shembull që duhet përthyer bashkërisht në figurën e gruas përballë sfidave të paqes.

Gruas i duhet sfera publike, por sferës publike i duhet gruaja edhe më shumë, sepse pa gruan ajo nuk mund të jetë e mirëfilltë. E në anën tjetër, domeni socio-ekonomik pa gruan e integruar plotësisht, ngelet vetëm një rend ku menaxhohet dhuna apo shtypja, e përmasave dhe natyrave të ndryshme, herë duke bërë bujë e më shpesh në heshtje.

Të përfitojmë nga rasti që na ofron 8 Marsi, duke e dëgjuar atë si thirrje për reflektim dhe angazhim të pandërprerë, deri në emancipim të plotë, i cili na përmbush të gjithëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat