Kurti kujton masakrën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, tregon çka i tha i mbijetuari Beqiri

Aktuale

Kurti kujton masakrën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, tregon çka i tha i mbijetuari Beqiri

Më: 13 mars 2024 Në ora: 11:24
Kryeministri Kurti ka kujtuar masakrën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë që ka ndodhur 25 vjet më parë.

Kryeministri Kurti ka kujtuar masakrën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë që ka ndodhur 25 vjet më parë.

Ai ndau edhe disa fjalë të një të mbijetuari të kësaj masakre, Azem Beqirit.

““Kjo është plagë e kësaj lirie!”, na tha Azem Beqiri, i mbijetuar i Masakrës së Tregut të gjelbër në Mitrovicë. Azemi humbi bërrylin dhe sot e asaj dite i vuan pasojat nga sulmi me granatë që përgjaku Tregun e gjelbër në Mitrovicë. “Dihet që Serbia dhe serbët e kanë bërë këtë. Dihet edhe kush ka dhënë urdhër”, tha Azemi, duke i bërë thirrje publike prokurorisë, që atë, bashkë me të mbijetuar të tjerë t’i marrin si dëshmitarë.”

Ai ka thënë se më 13 mars të vitit 1999 forcat serbe kishin vrarë 7 civilë dhe plagosur 128 të tjerë.

“Më 13 mars 1999,  me hedhje granatash nga forcat serbe u vranë shtatë civilë, më i vjetri 65 vjeҫ e më e reja vetëm 5 vjeҫare. U plagosën rëndë 128 të tjerë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra, pleq e të rinj. Shumë prej tyre mbetën invalidë të përjetshëm.”

“Në këtë ditë të kujtimit, s’ka si të mos na vie në mendje masakra në tregun Markale në Sarajevë, që ishte një nga krimet më të rënda gjatë rrethimit të qytetit në vitet 1992-1995. Këto masakra në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, janë dëshmi e veprimeve gjenocidale të Serbisë.”

Ai ka thënë se sulmi besohet të ketë ardhur nga një objekt ushtarak ku sot është kampi i Policisë së Kosovës dhe bart emrin e Enver Zymerit.

“Sulmi me granata supozohet të ketë ardhur nga një objekt ushtarak, ku ishin të vendosura forcat serbe gjatë luftës 1998-99. Aty sot qëndron Kampi i Policisë së Republikës së Kosovës, që bartë emrin e heroit Enver Zymeri, e që garanton sigurinë, si e mirë publike që u ofrohet të gjithë qytetarëve pa dallim.”

Ai sot në Mitrovicë ishte me ministrin Elbert Krasniqi, drejtorin e Institutit për Krime Lufte Atdhe Hetemi dhe deputetë.

Kurti ka përmendur emrat e të rënëve.

“Në përvjetorin e 25-të, ishim në Mitrovicë për të nderuar kujtimin e civilëve të vrarë nga forcat e Serbisë. Së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Drejtorin Ekzekutiv të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, si dhe deputetë të Kuvendit, vendosëm lule të freskëta para pllakës përkujtimore të kësaj masakre. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të vrarët: Abaz Mecinaj (1944), Ahmet Strana (1941), Elizabeta Hasani (1994), Ragip Bajrami (1946), Rrahim Peci (1934), Sevdije Selani (1949) dhe Valdete Strana (1977). Teksa nderojmë kujtimin e tyre, theksojmë domosdoshmërinë për drejtësi për viktimat e kësaj masakre dhe qindra masakrave të tjera të kryera nga Serbia në Kosovë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat