Hedhja e gazit lotsjellës – Sveçla dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm, iu parashkruhet njëra vepër penale

Aktuale

Hedhja e gazit lotsjellës – Sveçla dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm, iu parashkruhet njëra vepër penale

Më: 26 mars 2024 Në ora: 11:15
Xhelal Sveçla

Në gjykimin ndaj ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetë të Vetëvendosjes, të cilët po akuzohen se kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2018, gjykatësi Sabit Sadiaj bëri të ditur se të akuzuarve iu ka parashkruar vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Këtë gjë, gjykatësi Sadikaj e bëri të ditur me të filluar seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai tha se vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” pretendohet se është kryer më 21 mars 2018, kurse parashkrimi ka arritur më 21 mars 2024.

Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, janë deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Deklarimin rreth fajësisë, ministri dhe deputetët e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sveçla, Millaku dhe Zyba thanë se nuk e ndiejnë veten fajtorë. Po ashtu, edhe Pacolli-Dalipi, e cila shtoi se ka vepruar në përputhje me betimin që ka dhënë si deputete.

“Deklarohem si e pafajshme, kam vepru në përputhje me betimin që kam dhanë si deputete e Kosovës, që punoj për interes të vendit tim”, tha Pacolli-Dalipi.

Meqenëse të pandehurit nuk e pranuan fajësinë, të njëjtit u njoftuan se brenda afatit ligjor mund të bëjnë kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e LVV-së, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare e si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e 6 shkurtit dhe ajo e 1 marsit ishin shtyrë në mungesë të të akuzuarës Millaku. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat