Hoti: Joefikasiteti i OSHP-së është shqetësues për buxhetin publik

Aktuale

Hoti: Joefikasiteti i OSHP-së është shqetësues për buxhetin publik

Më: 3 prill 2024 Në ora: 16:25
Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, konsideron se aktualisht ka kombinim fatal për buxhetin e shtetit nga joefikasiteti i Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe tenderët njëburimorë në rritje.

Sipas tij, joefikasiteti i këtij institucioni është shqetësues për buxhetin publik.

“Kombinim fatal për buxhetin e shtetit nga joefikasiteti i Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe tenderët njëburimorë në rritje. Sot, në Komisionin për Buxhet shqyrtuam raportin vjetor të punës të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Joefikasiteti i këtij institucioni është shqetësues për buxhetin publik”, shkroi ai në Facebook.

Ai ka theksuar se gjysma e stafit kanë dhënë dorëheqje në dy vitet e fundit, ku një pjesë e tyre nuk janë zëvendësuar, gjë që sipas Hotit ka ndikuar shumë në shqyrtimin e lëndëve.

-“1071 ankesa janë dorëzuar në OSHP gjatë vitit 2023. Rreth 45% e ankesave lidhen me rivlerësim të ofertave, anulim tenderi apo parregullsi në dosjen e tenderit. Kjo ngre shqetësime lidhur me veprimet e institucioneve publike sa i përket vlerësimit të tenderëve. OSHP funksionon vetëm me 3 anëtarë të Bordit, nga 5 sa duhet të ketë. Rrjedhimisht, rregullorja e punës që kërkon shqyrtimin e lëndëve të veçanta me 5 anëtarë nuk mund të zbatohet”, shtoi më tej ai.

Ai potencon se OSHP e ka ndryshuar rregulloren e punës, duke e rritur vlerën e lëndëve që shqyrtohen me vetëm një anëtar nga 120 mijë euro në 300 mijë.

“Më herët, këto lëndë janë trajtuar nga paneli prej 3 anëtarëve. Kjo është drejtësi kontekstuale, me vendime që merren brenda kufizimeve me të cilat përballet OSHP”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat