Në mungesë të kuorumit, dështon mbledhja e dytë Komisionit Hetimor lidhur me punën e Ministrisë së Jashtme

Aktuale

Në mungesë të kuorumit, dështon mbledhja e dytë Komisionit Hetimor lidhur me punën e Ministrisë së Jashtme

Më: 5 prill 2024 Në ora: 11:30
Foto nga vendi i ngjarjes

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit Hetimor lidhur me punën e Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ku njëra ndër pikat e rendit të ditës ishte hartimi i planit të punës së komisionit.

Kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj tha se vetëm deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka treguar arsyen e mungesës së saj përderisa deputetët e tjerë të LV-së nuk kanë dhënë arsyet e tyre, përkundër që ata janë njoftuar me e-mail dhe përmes telefonit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, Jeta Statovci, Ariana Musliu Shoshi, Gazmend Gjyshinca, Haxhi Avdyli, Hisen Berisha, Time Kadrijaj, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Fitore Pacolli-Dalipi, Vlora Dumoshi, Rrezarta Kryeziu, etj.

Propozimi për themelimin e këtij komisioni kishte ardhur nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi sipas së cilës, arsyeja e ngritjes së këtij komisioni është që t’i hetojë të gjitha degradimet që janë bërë në MPJD, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera.

Ndërsa, në propozimin për këtë komision që Kuvendi e kishte miratuar me 7 mars 2024 listohen edhe 16 pyetje për të cilat ky komision do të përqendrohet në punën e tij.

Pyetjet kërkojnë të marrin përgjigje se mbi cilën bazë ligjore është bërë fuzionimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme me atë të Diasporës, mbi çfarë baze ligjore janë lidhur kontratat për angazhim të këshilltarëve të jashtëm, mbi çfarë baze ligjore janë përjashtuar diplomatët e pranuar me konkurs në vitin 2011, mbi çfarë baze ligjore janë transferuar diplomatët nga një mision në tjetrin, a janë përmbushur kriteret për transferimin e zyrtarëve publik në pozita udhëheqëse në MPJD, si janë realizuar transferimet zyrtarëve brenda MPJD-së, a janë respektuar afatet ligjore nga Komisioni i Gradave dhe Disiplinës dhe pyetje të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat