Deputeti i AAK-së: Qeveria ka mungesë të transparencës, jemi ngopur me mashtrime

Aktuale

Deputeti i AAK-së: Qeveria ka mungesë të transparencës, jemi ngopur me mashtrime

Më: 6 prill 2024 Në ora: 07:55
Pal Lekaj

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, duke komentuar takimin e së enjtes midis palës kosovare dhe asaj serbe sa i përket përdorimit të dinarit serb thotë se Qeveria e Kosovës ka mungesë të transparencës.

Lekaj thotë se Qeveria po mashtron popullin e Kosovës duke mos treguar që në dialog po diskutohet për dinarin serb.

“Sa i përket transparencës të kësaj qeverie më jemi ngopur me mashtrime. E keni parë për targat, për dinarin që kanë thënë se është çështje e brendshme e që duhet të jetë… Janë zotuar te qytetarët se nuk do të diskutohet në Bruksel, e tashmë kanë qenë tri takime… Çfarë kanë bërë atje. Këndë dëshiron ta mashtrojë ky njeri? Kë dëshiron ta mashtrojë Qeveria e Kosovës që nuk po bëhet fjalë që po diskutohet për dinarin”, tha ai në Tëvë1.

Ndërsa, sa i përket deklaratës së të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, që tha se diskutimi për çështjen e dinarit serb do të vazhdojë në idetë e BE-së për kompromis, Lekaj thotë se në tavolinën e bisedimeve kompromisi është i domosdoshëm.

“Unë mendoj që kur të ulësh në tavolinë kompromisi është i domosdoshëm. Kur ta vendosësh dinarin në tavolinë s’ki çare pa bërë kompromis. Ne aq veprime të ngutshme po bëjmë sa që veç dëme po i shkaktojmë Kosovës dhe me këto veprime është frikë që Kosova më mos të jetë prioritet i shkallës së parë për shkak të keqmenaxhimit të situatës dhe moskoordinimit me ShBA-në dhe BE-në”, shtoi ai.

Pas takimit të djeshëm në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë më 1 shkurt.

Kryenegociatorët e të dy vende kanë akuzuar njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje. Por, Bashkimi Evropian tha se ka pasur përafrim të qëndrimeve sa i përket dinarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat